Një zjarr i fuqishëm shkatërroi pasditen e të hënës, një pjesë të Katedrales së famshme Notre-Dame në Paris. Flakët u përhapën me shpejtësi në çatinë e katedrales qindravjeçare, duke rrëzuar kupolën kryesore 100 metra të lartë. Shkaku i zjarrit, nuk është ende i qartë. Por zyrtarët thonë, se ai mund të ketë lidhje me punën për rikontruksionin e saj.
Notre-Dame konsiderohet ndër shembujt më të mirë të arkitekturës gotike franceze. Katedralja filloi të ndërtohet në vitin 1160 dhe përfundoi pas 100 vjetësh më 1260, megjithëse u ndryshua shpesh në shekujt pasues. Ajo pësoi dëmtime serioze gjatë Revolucionit Francez, por dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa i është nënshtruar disa rikonstruksioneve.
Notre-Dame, është një nga simbolet më të njohura të qytetit të Parisit dhe kombit francez. Ajo vizitohet çdo vit nga 14 milionë njerëz në vit. Ndërsa pritet të bëhet një bilanc i plotë i dëmeve, mësohet se disa nga dritaret me xhama me ngjyra, dhe shumë statuja prej bronxi dhe bakri i mbijetuan zjarrit.
Ndërkohë të paprekura janë shumë vepra arti, që ishin mbyllur në disa kasaforta prej guri, për shkak të punimeve. Presidenti francez Emanuel Makron, premtoi rindërtimin e shpejtë të Notre-Dame. Ndërkohë miliarderi francez, Fransua Pino, pronar i disa markave të famshme të veshjeve, ka premtuar të japë 100 milionë euro për rindërtimin e katedrales./ Tirana Today