Karikaturisti Bujar Kapexhiu ka thënë publikisht se ka pasur raste kur ka marrë edhe kërcënime për karikaturat e tij. I ftuar në studion e ‘RTV Ora’, ai deklaroi se me kalimin e kohës, gjërat duket sikur janë përmirësuar. Madje, sipas tij, politikanët tanë duke iu afruar Evropës kanë filluar të qytetërohen, e madje e kanë kuptuar që karikatura është dhe si një lloj reklame.
“Në përgjithësi e trashëguar nga diktatura, në fillimet e vitit ’90-të, ’91 kur kam filluar të bëjë presidentët, ministrat, e kanë pritur shumë keq, madje kam patur dhe kërcënime. Po problem është ky, vinin nga diktatura dhe në diktaturë një karikaturë ishte e rrezikshme, sepse atëherë kritikohej vetëm imperializmi amerikan dhe social, por dhe imperializmi sovjetik.
Nëse dikush do të dilte në karikaturë, megjithëse karikatura në atë kohë shkonte deri te drejtori kooperativës ose te ndonjë drejtor, më lart nuk shkonte. Kushdo që dilte në karikaturë e kishte firmosur fundin e tij.
Mirëpo me kohën, mesa duket edhe politikanët tanë duke iu afruar Evropës, filluan të qytetërohen dhe e kuptuan që karikatura është dhe si një lloj reklame. Qarkullon në sferat e politikanëve, në përgjithësi në botë dhe marrëdhëniet e karikaturistëve, ku thuhet që: Një karikaturë është e rrezikshme për një politikan, por më e rrezikshme është kur nuk ka asnjë karikaturë”, tha ai.