Pesë civilë dhe tre luftëtarë kurdë kanë humbur jetën, pas sulmeve nga ajri dhe toka që Turqia nisi ditën e djeshme, ndaj rebelëve kurdë në veri të Sirisë.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan shpjegoi se qëllimi i sulmeve është parandalimi i një “korridori terrori” në kufirin jugor të vendit.
Sipas tij, ushtria turke synon të neutralizojë kërcënimin terrorist kundër Turqisë dhe të krijojë një zonë për të lehtësuar kthimin e refugjatëve sirianë në shtëpitë e tyre.
Nga ana tjetër, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i cili dha urdhër që trupat amerikane të largoheshin nga zona, e konsideroi një “ide të keqe” pushtimin e Turqisë në këtë zonë, ndërsa deklaroi se Uashingtoni “nuk e miraton këtë sulm”.
Ministria e Mbrojtjes në Turqi deklaroi se ata kishin goditur 181 objektiva në lindje të lumit Eufrat që prej fillimit të sulmeve.
Mësohet se predhat e ushtrisë turke goditën edhe disa zona me civilë, mes të cilëve ka patur dhe shumë viktima.
Ndërkohë, mijëra sirianë që banojnë pranë kufirit kanë braktisur vendbanimet e tyre.
Fuqitë botërore kanë frikë se aksioni ushtarak mund të hapë një kapitull të ri, të përgjakshëm të luftës në Siri dhe të përkeqësojë paqëndrueshmërinë e rajonit.