Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në Forumin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik theksoi se “falë investimeve në mamografi në të gjithë vendin kemi rritje të diagnostifikimit të hershëm”.
“Program Kombëtar për depistimin e kancerit të gjirit, me vendosjen e mamografisë së detyrueshme për gratë mbi 50 vjeç. Gjatë vitit 2018-të investuam në 5 mamografi në spitalet e Durrësit, Gjirokastrës, Dibrës, Kukësit dhe Vlorës. Në 2018-ën u rrit me 50% numri i ekzaminimeve. Brenda këtij viti plotësojmë me mamografi dhe spitalin e Lezhës dhe brenda 2020 edhe spitalin e Fierit, ndërkohë që shërbimi i mamografive të lëvizshme do ta ofrojë shërbimin edhe në zonat më të thella.
Qeveria ka vënë përparësi trajtimin e sëmundjeve tumorale duke investuar mbi 24 mln euro për kurat për trajtimin e tumoreve, duke siguruar akses universal, terapi cilësore dhe shpenzime më të ulëta nga xhepi për qytetarët. Kemi hapur njësinë e kemioterapisë në Fier, duke e çuar në 6 numrin e njësive në spitalet rajonale, që kanë ofruar 1800 trajtime falas me terapi të targetuar të herceptinës këtë vit. Pas implementimit të programit të Kontrollit Mjekësor Bazë, programit të depistimit të kancerit të qafës së mitrës, tashmë me Programin Kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit plotësojmë standardin evropian të programeve të parandalimit në qendër të politikave shëndetësore, duke e kthyer fokusin tek shëndeti dhe jo tek sëmundja”, deklaroi Manastirliu.