Kamera e fshehtë/ Deputeti kapet mat duke bërë pazar për emrin në listë (Video)

Deputeti Selami Jenisheri, i cili është edhe kryetari i Partisë së Pensionistëve, ka rënë pre e një kamera të fshehtë nga emisioni Fiks Fare.

Ai është filmuar duke bërë pazar me një gazetare, të cilën e fton që të kandidojë për deputete me partinë e tij, duke i premtuar se në 4 vite do të fitonte 120 milionë lekë.

Jenisheri i kërkoi gazetares së Fiksit që u kandidua për deputete, një tjetër shoqe që ta vendosë në listë.

Që në takimin e parë edhe gazetares tjetër të Fiksit ai i kërkoi menjëherë të dhënat për të plotësuar formularin e kandidimit. Të dyja “kandidateve” u premtoi që do të punonte fort për t’i bërë deputete.

Në këto zgjedhje do të votohet për herë të parë me lista të hapura, ku zgjedhësit përveç partisë do të kenë mundësi që të përzgjedhin dhe emrin e një kandidati për deputet.