Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, në një bisedë në studion e ‘News24’, tha se e kishte kaluar koronavirusin. Gjosha pohoi se fatmirësisht e ka kaluar lehtë, dhe se ka pasur pak shenja, ndërsa uroi që të gjithë ta kalonin si ajo.
Ajo tregoi gjatë intervistës se ka qëndruar e izoluar rreth dy javë. Simptomat që kishte shfaqur gjatë asaj periudhe ishin humbja e shijes, temperaturë dhe kollë.
Ish-deputetja e LSI-së tha se e mban maskën, pavarësisht se ka shumë pikëpyetje sa i takon veprimeve të qeverisë, lidhur me situatën në fjalë.
“E mbaj maskën, por kam pikëpyetjet e mia për mënyrën se si po vepron qeveria sot. Se si po i trajton qytetarët, mjekët dhe infermieret në këtë situatë.
Ka shumë çështje të cilat do të kërkonin një strategji të madhe që kemi përpara. Jo vetëm në anën shëndetësore, por dhe në atë ekonomike.
Nuk është çështje frike. Se sa është një çështje se si do të menaxhohet kjo situatë. Personalisht e kam kaluar COVID-in.
E kam kaluar lehtë. Shpresoj që të gjithë ta kalojnë lehtë. E them për herë të parë. Kam qëndruar në shtëpi, rreth 2 javë.
Kam pasur humbje të nuhatjes, të shijes, dhe pak temperaturë e kollë. Kam qëndruar në një vend ku nuk kam pasur kontakte”, tha Gjosha.