Një tjetër protestë e dhunshme ndodhi një ditë më parë, për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie. Më herët u lajmërua se në orën 18:00 do të organizohej një tubim, ndërsa policia kaloi në gatishmëri.
Përreth Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme, u vendosën me qindra efektivë policie, ndërsa në terren zbritën forcat speciale. Policia përdori gaz lotsjellës në shumë raste. Turma shpërndahej në zona të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa nuk munguan konfrontimet me efektivë, ku këta të fundit në shumë raste u sulmuan me mjete të forta dhe me gurë. Kundërpërgjigjja ishte uji dhe gazi lotsjellës.
Marjo Boja ishte ndër personat të cilët morën plagë të rënda. I riu u dhunua në protestën e ditës së djeshme nga policia. Ai ka kaluar të gjithë natën në spital, për shkak të plagëve të rënda. Në një reagim për “Fax News”, Marjo është shprehur se e kanë lënë me shenja në fyt dhe ka mbi 8 qepje pas koke, pasi e kanë rrahur me shkop gome.
“Pas veshi jam godit, po fatmirësisht s’jam çarë, më kanë çarë e pas koke me mbi 8 qepje. Më kanë çarë në kokë, po që s’kishin nevojë për qepje, më kanë lënë shenja në fyt në momentin që donin të më rrëzonin, e më ranë e me shkopa gome nga këmbët. S’di ku ndodh që qëllohesh me shkop gome drejt e në kokë, po s’kemi ç’të bëjmë, këtë vend kemi”, tha Boja.
I riu mori pjesë në protestën e dytë, për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha në Tiranë. Kujtojmë këtu faktin se ndonëse Rama njoftoi se ministri Lleshaj ka dhënë dorëheqjen, turma nuk u tërhoq duke vijuar me sulmet ndaj efektivëve dhe institucioneve.