Kronikë

“Kam frikë se do më vrasin si Artan Cuku”, gazetarja publikon dëshminë tronditëse të policit

               Publikuar në : 21:27 - 17/07/19 M. S

Gazetarja e “Top Channel”, Anila Hoxha, ka bërë një denoncim të fortë duke publikuar historinë e një efektivi policie që ka frikë se do ta vrasin.

Ajo zbulon vetëm emrin e tij, “Gjergji”, ndërsa thotë se është një nga agjentëve më të mirë të Policisë së Shtetit, i infiltruar në grupe kriminale.

Edhe pse kishte 11 vite në polici, ai është larguar nga detyra me një motiv banal, “për shkurtim të funksionit organik”. Ky person ka marrë pjesë në dhjetëra aksione, ku është shtirur si trafikant droge për llogari të drejtësisë, në mënyrë që të zbulonte ngarkesa që më pas janë sekuestruar, kriminelë që më pas janë arrestuar.

Ai është 33 vjeç dhe ka dalë në reformë, pasi kishin luajtur ping-pong me të. Gjergji tashmë ka frikë se do ta eliminojnë si Artan Cuku, që pastaj e shpallën dëshmor.

Statusi i plotë

“Do më vrasin, do më vrasin si Artan Cukun. Kam blerë një armë, për të cilën jam pajisur me leje, kushdo që të vijë për t’më vrarë, njërin prej tyre do ta marr me vete…”.

Ky është parashikimi i zymtë i Gjergjit, njërit prej agjentëve të infiltruar, një ndër më të mirët që ka patur Policia e Shtetit. Gjergji, të cilin mjaft trafikantë droge e njohin me emrin tjetër, siç autoritetet e kishin pajisur me dokumente, pret ditën se kur do ta zbulojnë.

Nga 11 vite në polici, shumicën e tyre e kaloi si agjent undercover ose agjent i mbuluar. Dhjetëra aksione, në të cilat ai u shtir si trafikant droge për llogari të drejtësisë në mënyrë që të zbulonte ngarkesa që më pas janë sekuestruar, kriminelë që më pas janë arrestuar.

“Më dhanë identitetin tjetër, operoja nën atë identitet të dytë. Për mos ta harruar mora emrin e shokut të fëmijërisë. Jam ulur në një tavolinë me trafikantë të dëgjuar, kam ngrënë bukë në shtëpinë e tyre. Kur isha i inflitruar sillesha si ata, bëja si i fortë, vishesha shtrenjtë si ata, mbaja makina të shtrenjta… është e vështirë të ta shpjegoj.

Kisha një parim, të mos isha asnjëherë agjent provokator dhe gjithmonë e kam larguar nga rreziku informatorin. Kur vinte çasti për të blerë ngarkesat, përherë më vendoseshin në dispozicion shumë vlera monetare, të cilat ishin të sigluara dhe në funksion të aksionit”.

Por, pavarësisht kontributit, Gjergji është larguar nga detyra me argumentin më paradoksal: ‘Për shkurtim të funksionit organik’. Është 33 vjeç dhe ka dalë në reformë, pasi kishin luajtur ping-pong me të. Nga undercover njëri nga shefat e hodhi polic objektesh, pastaj e kthyen sërisht tek hetimi i grabitjeve të dhunshme, pastaj patrullë, pastaj undercover dhe së fundmi në Kombinat. Për të qarë e për të ulëritur. Një agjent undercover, një agjent i lindur për të qenë i tillë.

U spikat që në akademi nga të huajt, mes të cilëve atë dhe disa si ai i trajnuan anglezë e gjermanë se si undercover shqiptarë të fuste trafikantët në kurthin e ligjit. Mes tyre Alan Ëatson, Sean Mcgoëan dhe Roderik Mckenzie.
E ç’rëndësi ka e gjitha kjo! Gjergji, vetëm 33 vjeç ka dalë në reformë, pasi e hodhën degë më degë e cep më cep. Por, as kjo s’ka rëndësi. Të paktën askujt që duhet të shqetësohej nuk shqetësohet.

Ajo që ka rëndësi është se Gjergji thotë që po pret ta vrasin. Ashtu si Tan Cuku që pastaj e shpallën dëshmor më pas. Të gjithë ne e dinim që Tani ishte mjaft i kujdesshëm pasi e hodhën në rrugë, por të gjithë pritëm si sehirxhinj deri sa ta vrisnin

Telendisja e Gjergjit sa në policinë e objekteve dhe të Kombinatit nisi menjëherë sapo goditi një trafikant heroine, ndërsa më pas ulje-ngjitjet i pati pjesë të punës dhe përditshmërisë edhe për shkak të temperamentit të tij, por edhe një konflikti, në të cilin ai mbeti i plagosur.

Pa diskutim që në ditë të tilla pati lavdinë e tij si agjent i mbuluar, ku pas çdo aksioni ai shikonte rezultatet nga këndi i një të panjohuri. Gjergji këmbëngul se polic nuk të bën rroba. Dhe ka të drejtë.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT