Kryeministri Edi Rama deklaroi se në ditët në vijim do të zhvillojë një takim me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, teksa nënvizoi se dakordësohet me të kur shprehet se është e nevojshme një shtysë e re në marrëdhëniet mes dy qeverive.
Në një konferencë për shtyp, kreu i qeverisë tha se është Kurti ai që i ka kërkuar të takohen, dhe se ka disa propozime të reja për të, në zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Me Albin Kurtin do takohemi në ditët në vijim. Ka kërkuar të më takojë. E pres me shumë kënaqësi. E kam ndjekur në prononcimet e tij. Bie dakord me të që ka nevojë për një shtysë të re në raport me marrëdhënien mes dy qeverive dhe në raport me marrëveshjet e bëra.
Mendoj që duhet të shkojmë përtej marrëveshjeve të bëra dhe që me qeverinë e re të mbushim boshllëqet e krijuara me qeverinë e mëparshme. Kam disa propozime të reja që do ia bëj atë. Mendoj se është momenti për të vendosur një ministër shteti për bashkëpunimin në të dy vendet dhe një pikë bashkëpunimi institucionale.
Me shumë kënaqësi do dëgjoj dhe idetë e freskëta të Albinit, tani që do marrë përgjegjësinë dhe do kalojë nga poezia e opozitës në atë të prozës”, nënvizoi Rama.