Rasti Kacifas është bërë mollë sherri edhe mes grekëve. Në median greke “antinews.gr” është publikuar një shkrim i cili thotë se grekët nuk duhet të mbështeten tek nacionalizmi por tek patriotizmi.
“Armiku më i madh, tradhtari i patriotizmit është nacionalizmi. Dhe ne jemi ose duhet të jemi patriotë, jo nacionalistë. Duhet të jemi të kënaqur me një Greqi ku nacionalizmi të mos përdoret për të bërë karrierë politike duke urryer atdheun e të tjerëve.”
“Antinews.gr” merr në shqyrtim rastin e Kostandinos Kacifas për të cilin thotë së ai nuk është një hero.
“Kacifas u vra, por ai nuk është një hero. Respektimi i të vdekurve është me rëndësi, por ne nuk mund ta quajmë atë një hero, siç disa njerëz duan ta bëjnë”, shkruhet ndër të tjera në artikull.
Artikulli i publikuar nga antinews.gr duket se ka irrituar keq krerët e partisë Agimin e Artë. Sipas tyre ky artikull është publikuar nga media që mendohet se janë pranë ish-kryeministri grek Antonis Samaras.
Për këtë arsye, media që është pranë partisë “Agimit të Artë”, “nationalization.net” publikon një shkrim ku e quan qesharak shkrimin e antinews.gr. Për kundërgoditje kjo media ka publikuar një fotomontazh që e paraqet Samaras si ushtar të UÇK-së. Fotomontazhi shoqërohet me një shkrim në fund të të cilit thuhet: “Këta janë ata që hiqen si patriotë. Mos i shikoni, por digjini!/ TIRANA TODAY