I ashpër ka qenë reagimi i kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi lidhur me qëndrimin e shtetit shqiptar dje gjatë ceremonisë mortore të Konstandinos Kacifas.
Në një deklaratë për shtyp, Idrizi tha se shteti shqiptar nuk ekzistoi dje në Bularat të Gjirokastrës, por tregoi servilizëm ndaj grekëve.
Gjatë fjalës së tij Idrizi kërkoi mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa tha se shteti shqiptar ra dje në jugun e Shqipërisë.
Fjala e Idrizit:
Dje u gjendëm përballë shfaqjes së turpshme për shtetin atë të cenimit të integritetit të vendit, dje pushteti shqiptar pushoi së ekzistuari në jug, ku u dëgjuan thirrjet “Sëpatë dhe zjarr ndaj qenëve shqiptarë, Vorio Epiri është Greqi. Turp dhe për ata deputetë shqiptarë e grekë që u bashkuan në nderimin e një terroristi të keqpërdorur. Ka vetëm një Epir dhe është ai i Pirros së Epirit, krahinë shekullore e Çamërisë.
Me ngjarjen e djeshme në Bularat pati servilizëm përballë shtetit grek.
PDIU dhe shoqata Çamëria kërkojnë me forcë të mblidhet Këshilli i Sigurisë për të vënë në alarm SHISH, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Ministrinë e Brendshme, por edhe për çështjen e financimit të medias. Këshilli i Sigurisë Kombëtare është mbledhur herën e fundit për çështjen Balili. Është e papranueshme që shqiptarët të shohin rënien e shtetit shqiptar në jug të Shqipërisë.
I drejtohem shtetit shqiptar që në qoftë se nuk e vendosni dot autoritetin e shtetit na e thoni se do e mbrojmë ne vetë shqiptarët.