Juventusi ka ndërtuar një ekip mjaft të fortë dhe këtë vit do të provojë të realizojë ëndrrën Champions League. Investime mjaft të mëdha ka bërë vitet e fundit në afrimin e lojtarëve të klasit botërorë, por nuk kanë munguar edhe ato në repartin e së ardhmes.
Bardhezinjtë këtë sezon më shumë se kurrë janë duke investuar në repartin e të rinjve, duke afruar lojtarë me perspektiva të mëdha. Pak ditë më parë u zyrtarizua afrimi i një ndër portierëve që premtojnë një të ardhme të madhe, danezit Andrea Söndergaard. Por nuk kanë ndaluar me kaq, pasi në Vinovo është duke u provuar i riu sllovak Milan Sekera, mbrojtës i klasës 2002 në Spartak Trnava. Edhe pse akoma 15-vjeç, i riu është kërkuar nga Milani dhe Fiorentina, por garën duket se e ka Fituar Juventusi.