Bota

Julian Assange, “asi” nën mëngë i Vladimir Putinit

               Publikuar në : 11:36 - 15/04/19 S.N

Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, është arrestuar nga policia britanike pas 7 vitesh qëndrimi në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Ai përballet jo vetëm me akuzat për sulm seksual ndaj 2 grave në Suedi, por një mori akuzash në SHBA, që janë të bëjnë me vjedhjen dhe publikimin e mijëra dokumenteve sekrete dhe konfidenciale diplomatike dhe ushtarake, të cilat Uashingtoni vlerëson se kanë vënë në rrezik sigurinë kombëtare, jetën e qindra agjentëve të inteligjencës.

Mbi të gjitha Assange, akuzohet për hakerimin e të dhënave të serverit qendror të Konventës së Partisë Demokratike në SHBA në mesin e fushatës presidenciale, të cilat zbuluan mijëra e-maile private të ish-sekretares amerikane të shtetit, Hilari Klinton. Ato e vendosën jo pak në siklet kandidaten demokrate, dhe mendohet se kanë qenë vendimtare në humbjen e saj në zgjedhjet e 2016-ës.

Por kush është Assange, dhe cilat kanë qenë synimet e tij të vërteta me këto aksione. Transparenca? Apo demaskimi në sytë e botës, e një superfuqie si SHBA-ja. Dhe nëse është kjo e fundit, për interes të kujt? Gjatë gjithë ekzistencës së tij, WikiLeaks, ka pasur lidhje të çuditshme, të fshehta, por shumë të dokumentuara me shtetin rus.

Lidhjet variojnë nga ndarja e dokumenteve me një diktator pro-rus, tek pagimi për t’u shfaqur në televizionin shtetëror rus, apo përfshirja e WikiLeaks në dezertimin e nëpunësit të NSA Edward Snowden, që përfundoi i arratisur në Rusi. Zyrtarët rusë, deri edhe vetë presidenti Putin,  e kanë mbrojtur Assange dhe WikiLeaks.

Madje një zyrtar rus, sugjeroi se Assange meriton Çmimin Nobel për Paqe. Është një marrëdhënie e çuditshme:një gati-diktator, që rreshtohet përkrah një grupimi që thotë se është i përkushtuar të zbulojë sekretet shtetërore. “Unë nuk mendoj se ai është një agjent i paguar për rusët”- thotë Kris Zapone, redaktor në gazetën “Age” në Australi, vendlindjen e Assange, që ka mbuluar gjerësisht lidhjet ruse të Assange. “Por unë mendoj, se ai po manipulohet nga rusët”.

WikiLeaks, fitoi famë botërore në vitin 2010, kur publikoi një informacion sekret të qeverisë amerikane, një video që tregonte helikopterët amerikanë në Irak, që qëllonin mbi disa gazetarë irakianë. Deri në fund të vitit, portali publikoi gjithashtu pjesë të dokumenteve ushtarake amerikane për Luftën në Afganistan, si dhe kabllogramet diplomatike të Departamentit të Shtetit.

Këto zbulime, çuan në atë që do të bëhej një model i qartë: WikiLeaks do të zbulonte në mënyrë joproporcionale sekrete rreth Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Në prillin  e vitit 2012, marrëdhënia mes Assange dhe Rusisë, u bë për herë të parë e drejtpërdrejtë. Assange u bë një yll i “Russia Today” (RT), televizioni shtetëror rus i propagandës në gjuhën angleze. Me financimin e WikiLeaks, ky televizion nisi të transmetonte një emision të quajtur “Bota e të nesërmes” të drejtuar pikërisht nga Assange.

Natyra e saktë e marrëveshjes ndërmjet RT dhe Assange, nuk ka qenë kurrë shumë e qartë. Assange dhe WikiLeaks, këmbëngulin që Assange nuk ka qenë i punësuar ndonjëherë nga RT, dhe se ky televizion ishte vetëm një nga shumë transmetuesit ,që bleu të drejtën për të shfaqur emisionin e Assange.

Sidoqoftë, Assange u pagua nga Kremlini. Sipas ”The Times”, shuma e parave që ai ka marrë, nuk u zbulua kurrë. “Bota e të Nesërmes”, kishte një prirje të dukshme anti-amerikane. Edhe pse emisioni zgjati vetëm 12 episode, lidhjet ndërmjet Assange dhe Rusisë vazhdonin të rriteshin. Disa shembuj të dukshëm: Assange pretendon se e ka frymëzuar ai Snowden të shkonte në Rusi:’Mendova, dhe në fakt e këshillova Edward Snowden, se do të ishte më i sigurtë në Moskë”- tha ai për “Democracy Now”.

Një punonjëse e WikiLeaks, Sarah Harrison, udhëtoi me Snowden nga Hong Kongu (ku ai jetonte) drejt Moskës. Për të shmangur ekstradimin në Suedi, Assange u fsheh në ambasadën ekuadoriane në Londër. Sipas medias ekuadoriane “Focus Ecuador”, Assange kërkoi të zgjidhte vetë truprojat e tij, dhe këmbënguli që ata të ishin rusë.

Gjithashtu, ai përdorur llogarinë në Twitter të WikiLeaks, për të sulmuar dosjet e “Panama Papers” të vitit 2016, që zbuluan një llogari prej 2 miliardë dollarësh jashtë shtetit të Vladimir Putinit. Sërish, asnjë nga këto nuk nënkupton se Assange është një agjent rus.

Por kur e gjitha kjo përmblidhet, ajo që duket se është Assange nuk e sheh Rusinë si një armike apo një objektiv. Ai duket se e sheh Moskën, si diçka të ngjashme me thënien “armiku i armikut tim është miku im”, dhe “armiku” në këtë rast është SHBA dhe aleatët e saj.

Kjo çoi në ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Do të ishte e papërshtatshme, që ai të pranonte se provat tregojnë se dokumentet e publikuara që komprometonin Klintonin, ia dha Rusia. Ai nuk do të pranonte kollaj një bashkëpunim shumë më amoral, midis WikiLeaks dhe një pushteti autoritar, gjë që e kemi parë në të kaluarën, që do të dëmtonte më tej besueshmërinë e tij të vënë tashmë në pikëpyetje të kësaj platforme.

Ndalimi i Assange, vjen në një kohë kur në SHBA pritet të publikohet dosja e plotë e hetimeve të prokurorit special Robert Myler, mbi dyshimet për bashkëpunimin e stafit elektoral të Donald Trump me rusët, për ndërhyrjen në zgjedhje.

Në kushtet kur është deklaruar paraprakisht, se Myler nuk ka gjetur asnjë element që e komprometon pozitën e presidentit të SHBA-së, çka ka shkaktuar zhgënjim por edhe dyshime në mesin e ekspertëve dhe opinionit publik amerikan, Assange mund të jetë një “kokë turku” e përshtatshme, përmes ndëshkimit të njeriut që me veprimtarinë e tij, i ka shkaktuar jo pak “dhimbe koke” SHBA-së. / Tirana Today

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT