Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, qeveria amerikane investigoi seriozisht mundësinë që udhëheqësi nazist Adolf Hitleri të ishte ende gjallë. Dosjet e deklasifikuara të FBI-së, tregojnë se agjentët amerikanë shkuan në Amerikën e Jugut, pas pretendimeve se Fyhreri ishte arratisur në Argjentinë me një nëndetëse.
Nëndetëset gjermane, besohej se kishin transportuar një numër të madh zyrtarësh nazistë në Amerikën Latine. Sipas raporteve zyrtare, Hitleri vrau veten më 30 prill 1945, pasi Ushtria e Kuqe po i afrohej bunkerit të tij nëntokësor. Por 3 muaj më vonë presidenti amerikan Herri Truman shprehu dyshimet e tij. Ai e pyeti drejtpërdrejti udhëheqësin sovjetik, Jozefin Stalin, nëse Hitleri kishte vdekur apo jo. Udhëheqësi sovjetik u përgjigj shkurt:”Jo”.
Më vonë, edhe gjenerali legjendar Gregori Zhukov, trupat e të cilit pushtuan Berlinin, e mbështeti idenë e arratisë së Hitlerit. Ai tha:”Nuk gjetëm asnjë kufomë, që mund të ishte Hitleri”. Për shkak të djegies së trupit të tij, ka shumë spekulime. Por hetimet e kryera nga Franca, sugjerojnë që Fyhreri vdiq në fakt në bunkerin e tij. Mbetjet e kockës së nofullës, të fshehura për shumë kohë nga shërbimi sekret rus që nga viti 1945, sugjerojnë se Hitleri vrau veten.