Kryeministri britanik, Boris Johnson informoi se mbi 500 mijë persona e kanë marrë dozën e parë të vakinës anti-Covid.
Në një deklaratë për mediat, ai tha se që nga fillimi i vaksinimit në 8 dhjetor dhe deri më tani, mbi gjysmë milioni persona janë vaksinuar.
“Unë sot mund të deklaroi se mbi gjysmë milioni persona në Mbretërinë e Bashkuar e kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti-Covid,” u shpreh kreu i qeverisë britanike.
Departamenti i Shëndetësisë pritet të fillojë botimin e statistikave të hollësishme këtë javë për të zbuluar moshat dhe vendndodhjet e njerëzve të cilëve u bëhet vaksina.
Kryeministri tha se nuk kishte plane të tjera për shpërndarjen e vaksinave, duke këmbëngulur që zyrtarët të qëndrojnë në planin fillestar, ku përparësia do u jepet njerëzve sipas moshës.
Pak ditë më parë, në Britani u shfaq një mutacion i ri i Covid-19. Për pasojë, vendi është izoluar, ndërkohë që shtetet e Evropës dhe të botës kanë anulluar të gjitha fluturimet me Britaninë e Madhe. Nga studimet paraprake, tregohet se vaksina anti-Covid ka të njëjtin rezultat edhe me mutacionin e virusit.