Nga Silvia Sciorilli Borrelli “Politico.eu”
Romë – Kur qarkulluan për herë të parë lajmet për futjen e gjithë Italinë nën karantinë orët e vona të mbrëmjes së të hënës, ndodhesha në darkën e ditëlindjes së 70-të xhaxhait tim. Pasi u vendosën masat e rrepta të kontrollit mbi koronavirusin gjatë fundjavës në Lombardi, prindërit e mi u ofruan ta organizonin festën në shtëpinë e tyre, 600 kilometra larg nga epiqendra e shpërthimit epidemik, për të shmangur ngrënien në ndonjë restorant.
U ulëm 1 metër larg njëri-tjetrit, sipas udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore, nga 5 persona në secilën anë të tryezës me një gjerësi 2 metra. Pak pasi kishim nisur të hanim, kërkova falje dhe u thashë të afërmve se duhej të ndizja televizorin. Kur kryeministri Xhuzepe Konte, njoftoi se i gjithë vendi do të izolohej, të ftuarit në atë ditëlindje – që të gjithë, duke përjashtuar veten, në të 60-at dhe 70-at – e humbën oreksin dhe festa mbaroi.
“Nuk ka më kohë!”, tha Konte. Mjekët e kanë përshkruar situatën në Itali si në kohë lufte, me spitalet që janë në prag të kolapsit, dhe stafin mjekësor që duhet të zgjedhë se kush të shpëtohet nga vdekja dhe kush jo, për shkak të mungesës së ventilatorëve mekanikë.
Xhaxhait tim i vdiq gruan vitin e kaluar, për shkak të një infeksioni të papritur polmonar. Unë mundem vetëm ta imagjinoj sesi do jetë ndjerë ai nga biseda e vazhdueshme në ditëlindjen e tij mbi pacientët me koronavirus, që janë të paaftë të marrin frymë. U largova nga shtëpia e prindërve të mi, duke menduar mbi kohën kur do të më lejohet të kthehem sërish.
Nëna ime vuan nga skleroza e shumëfishtë. Ajo nuk mund të ecë dot, dhe shëndeti i saj është përkeqësuar ndjeshëm gjatë 2 viteve të fundit. Një nga mikeshat e mia më të mira në Milano, më kritikoi të hënën pse zgjodha të shkoj tek prindërit e mi, në vend se të izolohesha me vajzën time në shtëpi.
Partneri i saj është një mjek që banon në veri të vendit:”Ti je gazetare dhe nuk e kupton rëndësinë e situatës”, më tha ajo, duke nënkuptuar se më këtë vizitë unë po i rrezikoja anëtarët e moshuar të familjes time. E telefonova në mëngjes doktoreshën e nënës sime, duke e pyetur nëse mund ta vizitoja.
Ajo më sugjeroi ta shmangja kontaktin me të për një farë kohë. Si gazetare, mund të vazhdoj të lëviz lirisht për çështje pune. Doktori më tha që nuk është e sigurt që ajo të jetë pranë babait tim. Ai është aktualisht kryebashkiak i një qyteti me madhësi mesatare në rajonin e Abrucos, dhe i ka kaluar 2 javët e fundit duke takuar njerëz aty dhe në Romë, për të bashkëpunuar mbi masat e emergjencës ndaj koronavirusit.
Ashtu si në shumë vende të tjera në jug të Italisë, spitali në atë qytet u la të degradojë për të frenuar shpenzimet publike. Dhe tani me një popullatë të moshuar, dhe shumë pak njësi të kujdesit intensiv në dispozicion, autoritetet lokale si ajo që drejtohet nga babai im po kërkojnë një zgjidhje.
E telefonova mamanë për t’i thënë se nuk mund të shkoja ta takoja, por do t’i dërgoja një maskë për fytyrën, që të mund ta vendosë gjatë vizitave tek fizioterapistja. Mora në telefon rreth 12 farmaci në Romë: që të gjitha të shitura. Ashtu si në pjesën tjetër të vendit.
Në fund, një nga miqtë tanë të familjes, një 44-vjeçar që sapo është shëruar nga kanceri, më ofroi një maskë rezervë për nënën time. Por fizioterapistja na njoftoi se do ta ndërpresë punën deri më 3 prill, koha kur planifikohet të përfundojë bllokimi kombëtar. Unë gjithsesi vendosa ta marr maskën. Ndërsa prisja ashensorin, më ngrohu zemrën një njoftim i vendosur nga dy banorë të rinj, që u ofrojnë ndihmë fqinjëve të tyre moshuar dhe atyre me aftësi të kufizuara, për t’u blerë ushqimet dhe ilaçet.
Disa miq gazetarë në Milano, më treguan disa raste të ngjashme edhe në veri. Pasi hoqa maskën, vrapova për në shtëpi për të parë vajzën time 32-muajshe. Roma është shndërruar në një qytet fantazmë; mu deshën vetëm 9 minuta për të përshkuar 7 kilometra – një distancë që kërkon zakonisht 2-fishin e kohës për shkak të trafikut.
Në shtëpi, vajza ime ishte zgjuar, duke luajtur me lodrat e veta. Çerdhet janë mbyllur që nga e enjtja, dhe do të mbeten kështu të paktën deri më 6 prill, 2 ditë para pushimit të planifikuar 1-javor të Pashkëve. Pyes veten nëse ajo mendon se jemi me pushime. Si prindër, ne jemi që të gjithë në të njëjtën varkë.
Ne nuk duhet të mbështetemi tek gjyshërit, pasi ata përballen me rrezikun më të madh nga infektimi me koronavirus. Ndaj na kanë mbetur vetëm 2 alternativa:ose të mos punojmë, ose të paguajmë dikë që të kujdeset për fëmijët tanë. Shumë prej atyre që mund të kenë zgjedhur të marrin pushimet, ose sepse nuk mund të përballojnë financiarisht një dado për fëmijë, apo nga frika se këto të fundit do të sjellin koronavirusin në shtëpitë e tyre.
Sheshet e lojërave, janë të shkreta, dhe jemi këshilluar të organizojmë lojëra për fëmijët në shtëpitë tona. Por mbajtja e fëmijëve mbyllur në shtëpi është pothuajse e pamundur në këtë fillim-pranvere në Itali. Unë kam shpërndarë disa këshilla sesi të argëtojmë fëmijët në shtëpi përmes disa grupeve në WhatsApp.
Të gjithë po përballen në një mënyrë a tjetrën me këtë situatë. Disa shkolla të mesme në të gjithë vendin, po ofrojnë klasa në internet, ndërsa studentëve të tjerë u dërgohen detyra shtëpie përmes WhatsApp. Sipas një sondazhi të televizionit La7, shumica e prindërve mbështesin vendimin e qeverisë për mbylljen e shkollave.
Por ka shqetësime mbi komunikimin e dobët publik nga politikanët javët e fundit. Shumë prindër në grupet e mia në WhatsApp, më pyesin nëse do të kompensohen për tarifat e paguara në çerdhe ku nuk çojnë dot fëmijët e tyre. Qeveria ka deklaruar se do të mbështesë familjet, që kanë shpenzime shtesë për kujdesin ndaj fëmijëve të tyre, por deri tani s’ka asgjë specifike.
Ndërsa më vijnë mesazhet e anulimit të shumë ngjarjeve nga linjat ajrore, vizita tek stomatologu, madje edhe nga salloni i manikyr-pedikyrit ku shkoj zakonisht, pyes veten se si do të mbijetojnë që të gjitha këto biznese pa të ardhurat që po humbasin çdo ditë.
Qeveria u ka premtuar kompanive lehtësim në pagesa, ndërsa zv/ministrja e Financave Laura Kasteli, ka njoftuar një pezullim mbarëkombëtar të pagesave të kredive. Por nuk mund të mendoj dot sot përmasat e katastrofës ekonomike që po afron. Mendimi im i fundit para se të kthehem në punë shkon për bashkëshortin tim, që punon në Londër, dhe ku deri tani janë marrë vetëm disa masa kufizuese.
Ai s’do të jetë në gjendje të bashkohet me ne së shpejti, duke pasur parasysh kufizimet e udhëtimit drejt Italisë, dhe masat e detyrueshme të karantinës që ka zbatuar qeveria britanike për këdo që kthehet nga Italia. Duke pasur parasysh politikat shumë të ndryshme të koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar, pyes veten nëse ai e kupton rëndësinë e asaj që po kalojmë këtu.
Mendoj se familjet në Evropën Perëndimore, nuk janë ndarë në një shkallë të tillë kaq të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë. Ndoshta mjekët kanë të drejtë. Ndodhemi në një gjendje lufte./TIRANA TODAY