Jeta e njeriut në Mars: Ja problemet me të cilat do të duhet të përballemi

Nga: Luca Nardi “Wired.it”

Në mesin e sukseseve të mëdha të misioneve në Mars dhe projekteve afatgjata të agjencive hapësinore publike dhe private, ky planet në këtë periudhë duket më afër se kurrë banimit nga njeriut. Edhe projektet e ndërtimit të bazave hënore (siç është ai ruso-kineze, apo ai i programit Artemis),e afrojnë në kohë idenë e një të ardhme të mundshme ndërplanetare për speciet njerëzore dhe për pasojë edhe tek vetë Planeti i Kuq.

Për shembull,ditët e fundit është folur shumë për Nuva-n, qytetin futurist marsian të konceptuar nga studioja arkitektonike e dizajnit “Abiboo”, në bashkëpunim me grupin e studiuesve të “Sonet”gjatë një konkursi të organizuar nga “Mars Society”, që synon të promovojë të ardhmen e njerëzimit në planetin e afërt me Tokën.

Për të hipotetizuar se si mund të ishte vendbanimi i parë njerëzor në Mars, “Abiboo” dhe “Sonet” po bazohen tek trillimet shkencore, pra duke shfrytëzuar imagjinatën për të krijuar hipoteza të ardhshme. Kështu Nuva do të ishte një qytet në Tempe Mensa, me zhvillim vertikal mbi një shkëmb, brenda tuneleve të mbrojtura nga rrezatimi dhe meteoritët.

Ai do të ndërtohej tërësisht me burime lokale, dhe do të varej nga Toka vetëm në një fazë të hershme. Pas kësaj, duke përfituar nga ajo që ofron planeti, ai mund të bëhet plotësisht i vetëmjaftueshëm dhe i qëndrueshëm.

Ndërkohë, një grup hipotezash të tjera merren me problemet kryesore që duhen zgjidhur për ndërtimin e një baze të përhershme marsiane:rrezatimi, nxjerrja e burimeve, prodhimi i ushqimit dhe ujit, krijimi i një ambienti artificial që simulon kushtet mjedisore të tokës.

Marsi është i vogël, shumë i vogël për të ruajtur nxehtësinë e brendshme të nevojshme për të prodhuar një fushë magnetike planetare. Por pikërisht se është i vogël, graviteti i tij i dobët nuk është në gjendje të ruajë një atmosferë të dendur, e cila në sipërfaqe është vetëm disa të qindtat e atmosferës së Tokës.

Kombinimi i këtyre faktorëve, mungesa e një fushe magnetike, dhe atmosfera e hollë, nënkupton që çdokush në sipërfaqen e planetit të kuq do t’i nënshtrohet bombardimeve të vazhdueshme të rrezeve kozmike, që janë grimca të ngarkuara energjike që vijnë nga Dielli apo nga hapësira ndëryjore.

Për të mos folur pastaj për dozën e rrezatimit. Një studim i vitit 2014, i kryer nga sonda “Curiosity”, llogariti se në rastin më të mirë, gjatë një udhëtimi6-mujor dhe një qëndrimi në Planetin e Kuq prej pak më shumë se një viti, doza totale e rrezatimit që do të merrte një astronaut do të ishte 1.01 sivert, më shumë sesa 20-fishi i sasisë së lejuar vjetore për ata që punojnë në industrinë bërthamore.

Një dozë e tepërt e rrezatimit nënkupton një rritje të incidencës së patologjive të ndryshme, dhe një probabilitet të rritur të zhvillimit të qelizave kancerogjene. Prandaj,një  mbrojtje nga rrezatimi përbën një hap thelbësor, në rast se duam të hipotetizojmë jo vetëm një qëndrim, por edhe një udhëtim të thjeshtë vajtje-ardhje në Mars.

Dhe për të zvogëluar marrjen e rrezatimit, ne mund të zgjedhim materiale më të përshtatshme mbrojtëse sipolietileni dhe disa materiale me bazë borin dhe azotin. Por gjithashtu mund të përdoret edhe uji për t’u mbrojtur të paktën pjesërisht nga rrezatimi.

Në përgjithësi ne e mendojmë Marsin si një planet të shkretë, disi të ngjashëm me shkretëtirën e Saharasë apo Atakamës. Marsi është në të vërtetë shumë më i thatë, dhe shumë më jo mikpritës:Aty ka shumë pak avuj uji në atmosferë, ndërsa uji i lëngshëm nuk mund të ekzistojë në sipërfaqen e Marsit.

Ekziston një rezervë e mirë akulli poshtë sipërfaqes, ku ai është i përzier me tokën në një lloj permafrosti. Edhe duke marrë parasysh sistemet e riciklimit të tilla si ato të Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar (ISS), një bazë marsiane duhet domosdoshmërisht të jetë në përputhje me kufizimet për të qenë në një vend ku është i disponueshëm uji.

Për ushqimin, çështja është pak më komplekse. Furnizimet ushqimore të ngjashme me ato që hanë astronautët në ISS mund të sillen nga Toka. Por prodhimi i vetë-mjaftueshëm do të ishte i nevojshëm, duke përjashtuar fermat e kafshëve, të cilat kërkojnë shumë burime si uji, energjia dhe ushqimi, gjithashtu duhet gjetur një mënyrë për të kultivuar perime.

Ndër kulturat më të përshtatshme për tokën marsiane janë shpargulli dhe spinaqi, por edhe domatet, kërpudhat, lakrat, hudhrat dhe karrotat. Kultivimi i drejtpërdrejtë në terren është një problem për shkak të rrezatimit dhe graviteti të pakët.

Por kjo mund të zgjidhet të paktën pjesërisht përmes serave me presion, çka sidoqoftë do të kërkonte shumë energji për të funksionuar. Një alternativë më praktike nëse bazat do të ishin nëntokësore mund të ishin kulturat hidroponike ose më mirë akoma, aeroponike, pra në mënyrë të atillë që uji dhe lëndët ushqyese t`u jepen bimëve në formën e mjegullës.

Temperatura mesatare në Mars është 63 gradë nën zero, më e ulët se sa mesatarja e Antarktidës, dhe diferenca mes natës dhe ditës është shumë e madhe. Ndaj, nëse do të arrijmë të ndërtojmë ndonjëherë një bazë në Mars, temperatura do të duhet domosdoshmërisht të mbahet nën kontroll të rreptë artificial.

Në vetvete kultivimi i bimëve mund të favorizojë prodhimin e oksigjenit, në kurriz të dioksidit të karbonit, duke ekuilibruar humbjen e tij nga frymëmarrja e njerëzve. Por atmosfera e Marsit është e përbërë nga 96 për qind dioksid karboni, ndërsa oksigjeni është i pranishëm në një pjesë shumë të vogël.

Ndaj,në sondën “Perseverance” që ndodhet në Mars prej disa javësh është futur një pajisje që synon të nxjerrë oksigjen nga dioksidi i karbonit. Ndër problemet e panumërta që mbeten ende për t’u përmendur është për shembull ai i gravitetit, që në Mars është sa 1/3 e asaj të Tokës, dhe ne nuk e dimë se çfarë efektesh mund të ketë kjo gjënë trupin e njeriut gjatë një qëndrimi të zgjatur në kohë.

Ose është problemi i stuhive të forta të rërës, të cilat e errësojnë qiellin e të gjithë planetit për javë apo muaj me radhë. Ekzistojnë edhe rreziqe mbi psikikën e njerëzve të detyruar të jetojnë për periudha të gjata në një mjedis plotësisht artificial. Ashtu si me Antarktidën apo fundin e oqeanit, ka arsye shumë të mira për të menduar ndërtimin e një baze shkencore në Mars. Por pse duhet apo duam të ndërtojmë qytete të tëra në një planet jo mikpritës siç është Marsi?

Burimi i lajmit: https://www.wired.it/scienza/spazio/2021/04/10/vita-marte-problemi/

Përshtatur nga TIRANA TODAY