Sekretari i Marinës Ushtarake amerikane Thomas Modly ditën e sotme ka dhënë dorëheqjen.
Raportohet se Modly pati krijuar një polemikë të brendshme duke pushuar nga puna kapitenin e aeroplanmbajtëses “USS Theodore Roosevelt” javën e kaluar, duke thënë se kapiteni Brett E. Crozier tregoi “një gjykim jashtëzakonisht të dobët” duke shpërndarë gjerësisht një email që bënte thirrje për ndihmë urgjente lidhur me shpërthimin e COVID-19 në bordin e anijes së tij.
Më pas Modly kishte shkuar në anijen e ankoruar në portin e Guamit, aty ku mbajti një fjalim para ekuipazhit.
Thuhet se ai e kritikoi ashpër kapitenin Crozier, duke thënë se ishte ose “shumë naiv, ose shumë budalla”, për të qenë në krye të një aeroplanmbajtëseje.
Kujtojmë se mbrëmjen e së hënës, me insistimin e Sekretarit Esper, Modly kërkoi publikisht falje, ndërkohë në Kongres u shtuan thirrjet mes demokratëve për dorëheqjen e tij.