Zëvendësministri i Arsimit Ervin Demo ka dhënë dorëheqjen. Largimi i tij vjen pas denoncimit të studiuesit, Taulant Muka, i cili publikoi dy raste plagjiature të zyrtarit.
Në rastin e parë me deputeten socialiste Blerina Gjylameti, dhe në dytin i përfshirë edhe zëvendës/Rektori i Universitetit të Tiranës, Bernard Dosti.
Arsyet e dorëheqjes Demo i sqaron përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale ku thotë se ka qenë në qendër të baltës politike edhe pse në fakt denoncimet kanë qenë të bazuara në fakte.
Por në të gjitha shpjegimet e zëvendësministrit nuk ka asgjë për plagjiaturën, apo të thotë se do të padis studiuesin për shpifje. Demo bën një vlerësim të lartë për partisë socialiste dhe për punën e saj në arsim.
Demo: “Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka disa muaj që po përgatit fillimin e “Verifikimit të kritereve të ligjshmërisë” (VKL) për të gjithë titujt dhe gradat e akorduara nga IAL-të në vend, gjatë 10 viteve të fundit. Nuk do të dëshiroja kurrë që në pozicionin e zëvendësministrit, të isha une vetë arsyeja për ta paragjykuar këtë element kaq të rëndësishëm të reformës sonë rrënjësore”.
Në qendër të denoncimeve të studiuesit, Taulant Muka, ka qenë edhe deputetja Blerina Gjylameti, e cila ende nuk ka reaguar në lidhje me akuzat për përfshirjen në plagjiaturë.
Ndërkohë largimi i zëvendësministrit vjen vetëm pak ditë pas takimit që Taulant Muka zhvilloi me kryeministrin Edi Rama, ndërsa më herët ai kishte vënë në dijeni për rastin edhe Minsitren Lindita Nikolla por edhe delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë.
Postimi ne facebook
Gjatë 2 javëve të fundit jam vënë në shënjestër nga politika e baltës dhe besoj se në radhë të parë më takon të vë interesat e kabinetit qeveritar mbi interesin tim personal. Unë i jam thellësisht mirënjohës Kryeministrit për mbështetjen e Tij të pakushtëzuar, të Ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve po ashtu, si edhe të gjithë atyre që ma bënë kaq sfiduese, dinamike e të bukur pse jo, këtë fazë të karrierës sime.
Sot kam ofruar dorëheqjen si zëvendësministër dhe mbetem i përkushtuar në vijimin e përpjekjes sonë të përbashkët, si qytetarë e si veprimtarë të Partisë Socialiste.
Çdo argumentim nga ana ime kundër baltosjes në pozicionin që jam sot, do të paragjykohej vetiu dhe do linte vend për keqinterpretime, nëse unë do të mbetesha në pozicionin tim.
Besimi e mbështetja e deritanishme, më mjaftojnë e teprojnë kur thotë populli. Besoj fort që koha do t’i vërë më shpejt se vonë gjërat në vend dhe unë do të jem në pozicionin e duhur për ta ndihmuar këtë proces.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka disa muaj që po përgatit fillimin e “Verifikimit të kritereve të ligjshmërisë” (VKL) për të gjithë titujt dhe gradat e akorduara nga IAL-të në vend, gjatë 10 viteve të fundit.
Nuk do të dëshiroja kurrë që në pozicionin e zëvendësministrit, të isha une vetë arsyeja për ta paragjykuar këtë element kaq të rëndësishëm të reformës sonë rrënjësore. Proçese të tilla transparente, rigoroze dhe të drejta, janë rruga e vetme për të krijuar një qasje të re në sistem për arsimin që aspirojmë dhe kontribuar në kulturën e duhur organizative në promovimin e stafeve akadamike dhe kërkuesve të rinj.
Do të jetë tejet e vështirë, po pikërisht për këtë arsye jam sot më i bindur se kurrë që vetëm nën drejtimin aktual, të Kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste që reformat jetike për vendin, do të vijojnë të ecin me vendosmëri në drejtimin e duhur.
Për mua ka qenë një privilegj të kem qenë pjesë e kabinetit Rama. Tanimë do të jem i tëri në dispozicion të veprimtarisë sime politike mes njerëzve të zakonshëm.
Shumë faleminderit dhe mirënjohje e respekt të gjithë kolegëve të kabinetit.