Nga Michael Hirsh “Foreign Policy”/ Në vjeshtën e vitit 1992, pasi arriti një marrëveshje me bankat në SHBA, për të fshirë 1 miliardë dollarë borxhe, Donald Trump organizoi një festë të madhe në kazononë e tij “Atlantic City” për të njoftuar rikthimin e tij të bujshëm. Mysafirëve në atë festë, iu dhanë tullumbace me imazhin e të Trumpit.
Teksa muzika me temë nga filmi “Rocky” pushtoi sallën, një zë thirri:”Le të dëgjojmë atë, Mbretin!”. Dhe Trumpi, i veshur me doreza boksi dhe një mantel mbi shpinë, doli nga një ekran prej letre. Një nga drejtuesit e tij të kazinove, njoftoi se shefi i tij ishte rikthyer si një “fitues”, sipas biografit të Trump, Majkëll D’Antonio.
Në fakt, Trump kishte qenë në prag të falimentit total në fushën e pasurive të paluajtshme. Në fillim të viteve 1990, ai kishte harxhuar pjesës më të madhe të pasurisë së babait të tij, Fred Trump, përmes një sërë vendimesh të pamatura në biznes. Dy nga bizneset e tij shpallën falimentimin, Trump Taj Mahal Kazino në Atlantic City, dhe Plaza Hotel në Nju Jork.
Për pjesën e mbetur të viteve 1990, Trump pati pak suksese në biznes (me disa përjashtime, siç është Kulla Trump, e cila filloi ndërtimin në vitin 1999 dhe u financua nga 2 huadhënëse gjermane, bankat Deutsche Bank dhe Bayerische Hypo- und Vereinsbank). “Iu deshën rreth 10 vjet që ai ta rimerrte veten”- thotë D’Antonio.
Në vitin 2003, Trump u zhyt sërish në telashe, kur pas një takimi me vëllezërit e motrat e tij pas vdekjes së të atit, vendosën shitjen e shpejtë të pasurisë familjare, përkundër dëshirës së vetë të ndjerit Fred Trump. Madje “Neë York Times”, raportoi një hetim mbi financat e familjes Trump.
Ndërkohë bizneset e tij vazhdonin të falimentonin: Në vitin 2004, rrjeti i hoteleve dhe kazinove të Trump, nisi procedurat për të shpallur falimentin, duke pasur 1.8 miliardë dollarë borxhe. Por Trump u rikthye sërish në skenë, dhe sipas disa burimeve që kanë njohuri mbi bizneset e Trump, paratë e huaja luajtën një rol të madh në ringjalljen e sipërmarrjeve të tij, në veçanti investimet nga njerëz të pasur nga Rusia, dhe ish-republikat sovjetike.
Ky përfundim, mbështetet nga një numër gjithnjë në rritje provash të grumbulluara nga organizatat e lajmeve, si dhe nga ajo që thuhet se po hetohet nga prokurori special Robert Myler. Është një përfundim, që e konfirmon edhe djali i madh i Trump, Donald Trump Jr., kur tha në vitin 2008, pas rinisjes së aktivitetit të “Trump Organisation”, se “rusët kanë një pjesë goxha të madhe të shumë prej bizneseve tona”.
Ish-arkitekti i vjetër i Trump, Alan Lapidus, i bëri jehonë kësaj pikëpamjeje në një intervistë me “Foreign Policy” më herët gjatë këtij muaji. Lapidus tha se bazuar në atë që dinte nga veprimtaria e brendshme e organizatës, pas problemeve të mëparshme financiare, Trump “s’mund të merrte dot borxh nga askush në Shtetet e Bashkuara”.
“Të gjitha paratë vinin nga Rusia. Bashkëpunimi i tij me Rusinë, ishte më e thellë se sa e pranon sot presidenti”- tha ai. Paratë nga përtej detit, erdhën fillimisht në formën e partneriteteve të reja në fushën e pasurive të paluajtshme, dhe blerjen e shumë godinave në pronësi të Trump.
Në pamje të parë, mund të duket e çuditshme pse gjatë fushatës presidenciale, njerëzit rrotull Trumpit, përfshirë djalin, vajzën dhe dhëndrin, u kontaktuan nga të paktën 14 rusë, sipas informacionit që del nga hetimet federale. Ose që në nëntorin e vitit 2015, sipas një dëshmie të publikuar kohët e fundit, ish-avokati i Trump, Majkëll Kohen, u kontaktua nga një rus që i ofroi “sinergji politike” midis fushatës Trump dhe Rusisë (duke shtuar se një takim midis Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, do të kishte një “ndikim fenomenal” jo vetëm në aspektin politik, por edhe në një dimension biznesi”).
Por në fakt, të paktën disa prej këtyre takimeve, duket se kanë dalë nga kontaktet e biznesit Trump që kishte krijuar gjatë gati 2 dekadave. Sipas ish-partnerit në biznesin e pasurive të paluajtshme të Trump, por edhe burimeve të tjera që kanë diieni mbi aktivitetin e brendshme të Trump Organisation, ringritja e biznesmenit pas viteve 1990, mund të ketë filluar realisht në fillim të viteve 2000 me grupin “Bayrock”, që mori me qera 2 kate poshtë zyrës së vetë Trump në Kullën Trump.
“Bayrock”, drejtohej nga dy investitorë, që do të ndryshonin fatin e Trump:Tevfik Arif, një ish-zyrtar sovjetik i lindur në Kazakistan, i cili tërhoqi shuma të mëdha parash nga ish-republika sovjetike; dhe Feliks Sater, një biznesmen i lindur në Rusi, i cili ishte shpallur fajtor në vitet 1990 për një skemë të madhe mashtrimi me letrat me vlerë, që përfshinte edhe mafian ruse.
Me ndihmën e “Bayrock”, Trump filloi ekspasionin e tij të madh, nga një ndërtues problematik, në një shitës të markës së vet. Ai e ri-shpiku veten dhe modelin e tij të biznesit.
Në vend të bankave të mëdha, “Bayrock” e ndihmoi Trump të rrikthehej në tregun e pasurive të paluajtshme, duke e furnizuar me paratë që kishte nevojë, për të tërhequr huadhënës të rinj për projekte të mëdha, sipas një ish-zyrtari të “Bayrock”. Më i madhi i këtyre projekteve ishte ‘Trump SoHo’, hoteli 46-katësh që ka qenë objekt i padive gjyqësore që kur u hap në vitin 2010, dhe që thuhet se po hetohet nga Myler, nëse është financuar pjesërisht nga paratë ruse.
Kjo marrëveshje i dha Trump vetëm 18 për qind të pronësisë, vetëm për licencimin nën emrin të tij. (Përveç “Bayrock”, partneri tjetër në biznes ishte familja Sapir nga ish-republika sovjetike e Gjeorgjisë). Organizata Trump, nuk iu përgjigj kërkesës sonë për një koment mbi këtë artikull. Por në një deklaratë që lidhet me çështjen ‘Trump SoHo’, Trump tha se ai ishte tërhequr nga “Bayrock”, pasi ishte i impresionuar nga lidhjet që kishte kazaku Arif, që kishte sjellë investitorë të mundshëm rusë për ta takuar atë”.
Dhe kur garoi për president të SHBA-së, Trump e kishte futur veten në këtë rrjedhë misterioze të kapitalit të huaj, ku hetuesit e ndryshëm besojnë se mund të jenë përfshirë pastrues parash nga Rusia dhe ish-republikat sovjetike, të cilët blenë dhjetra banesa të tij gjatë 15 viteve të fundit. Dhe Feliks Sater ishte duke negociuar me Kohen për një një marrëveshje me Moskën që nga mesi i vitit 2016, ndërkohë që Trump po fitonte nominimin nga republikanët, sipas një dëshmie të zbuluar kohët e fundit nga dosjet e Myler.
Mbetet e paqartë nëse politikat e Trumpit, kanë qenë të ndikuara nga këto lidhje të dikurshme dhe në disa raste edhe në vazhdimësi të biznesit, apo nga vetëdija e presidentit, se kapitali rus dhe ai i huaj, e kanë ndihmuar ringjalljen e karrierës së tij si biznesmen.
Por një çështje, së cilës Myler duhet t’i japë patjetër një përgjigje, është nëse këto marrëdhënie e kanë bërë Trumpin peng të disa rusëve, dhe nëse depërtimi i bizneseve ruse tek Trump dhe në organizatën e tij, pasqyron qasjen transaksionale të Kremlinit për zhvillimin e aseteve të inteligjencës dhe kompromentimin e tyre.
Që nga fushata e tij presidenciale, kritikët e Trump në Uashington, kanë vënë në pikëpyetje mungesën e dëshirës së tij për të kritikuar drejtpërdrejti Putinin, dhe shtysën e tij për të lehtësuar sanksionet kundër Rusisë. Kohët e fundit, presidenti amerikan i fajësoi të dyja palët për ndërhyrjen e dhunshme të Putinit në Ukrainë, kur anijet ruse gjuajtën, plagosën dhe kapën marinarët e një anijeje ukrainase.
Që nga vitet 2000, Deutsche Bank, një nga kreditorët e Trump, ka punuar ngushtësisht me institucionet shtetërore ruse, dhe në vitin 2015 një degë e saj ruse, ishte implikuar në një skemë ruse të pastrimit të parave prej 10 miliardë dollarësh. Deutsche Bank, e pranoi fajin dhe ra dakord të paguajë një gjobë të majme prej 630 milionë dollarësh.
Kongresmenët demokratë, pritet të hetojnë në janar marrëdhënien midis Trump dhe Deutsche Bank, dhe midis bankës gjermane dhe Rusisë. “Ka dyshime të besueshme për përdorimin e pronave të Trump për të pastruar paratë nga oligarkët, kriminelët dhe miqtë e regjimit të Putinit”- u shprehën kongresmenët demokratë një letër drejtuar Departamentin e Drejtësisë, më 13 mars të këtij viti.
Një raport i vitit 2017 nga agjencia Reuters, duke përmendur dokumente publike, intervista dhe të dhëna të korporatave, zbuloi gjithashtu se të paktën 63 rusë apo njerëz që jetojnë në Rusi, kanë blerë rreth 100 milionë dollarë prona, në 7 ndërtesa luksoze në pronësi të Donald Trump.
Mbetet e paqartë, nëse Trump është kompromentuar apo shantazhuar nga qeveria ruse.
Në nëntorin e vitit 2015 Sater i premtoi Kohen në një email, se mund të bindte “të gjithë ekipin e Putinit të blinte pronat e Trump në Moskë”. “Djali ynë mund të bëhet president i Shteteve të Bashkuara, dhe ne mund ta realizojmë këtë. Unë do ta përfshi Putinin në këtë synim, dhe ne do të zgjedhim Donaldin president”- shkruante Sater. Marrë me shkurtime/ TIRANA TODAY