Nga David D. Kirkpatrick & Eric Schmitt “The New York Times”
Forcat amerikane dhe partnerët e tyre, me në krye kurdët në Siri, kanë zhvilluar deri tani dhjetëra misione kundër terrorizmit kundër militantëve të Shtetit Islamik. Tani operacionet janë ndalur. Forcat Demokratike Siriane, liruan në heshtje disa luftëtarë të ISIS-it, duke i përfshirë në radhët e tyre, pjesërisht si një mënyrë për t’i mbajtur ata në vëzhgim.
Ndërkohë përtej kufirit poroz të Sirisë me Irakun, luftëtarët e ISIS po ndërmarrin sulme kundër kryetarëve të fshatrave të zonës, për të trembur informatorët e qeverisë. Kur presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi këtë muaj se do të tërheqë trupat amerikane nga Siria Veriore, duke i hapur kësisoj rrugën sulmit turk mbi kurdët, që ishin aleatët e Uashingtonit, shumë njerëz paralajmëruan se ai po tërhiqej në fakt nga fushata kundër Shtetit Islamik.
Tani analistët thonë se tërheqja e Trumpit, i ka siguruar ISIS-it fitoren e tij më të madhe në më shumë se 4 vjet, duke e përmirësuar shumë perspektivën e tij. Dhe në fakt, zyrtarët amerikanë e pranuan javën e shkuar, se tashmë po e humbnin aftësinë e tyre për të mbledhur informacione inteligjente nga terreni mbi operacionet e grupit radikal.
“S’ka asnjë dyshim që ISIS, është një nga përfituesit e mëdhenj nga ajo që po ndodh në Siri”- mendon Lina Katib, drejtore e Programit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut në think-tankun londinez “Chatham House”. Ndërprerja e mbështetjes për Forcat Demokratike Siriane, e ka dëmtuar aftësinë e SHBA-së dhe ish-partnerëve të saj, për të eliminuar mbetjet e grupit militant islamik.
Ndonëse Trumpi ka shpallur vazhdimisht fitoren ndaj Shtetit Islamik, ky i fundit mbetet ende një kërcënim. Pas humbjes në muajin mars të këtij viti të territorit të fundit, që kontrollonte dikur në Siri dhe Irak, Shteti Islamik i shpërndau përkrahësit dhe luftëtarët e tij. Ata u përzien me popullsinë, ose u fshehën në shkretëtira dhe zonat malore.
Grupi ka rreth 18.000 “anëtarë” në Irak dhe Siri, përfshirë gati 3.000 të huaj, sipas vlerësimeve të një raporti të fundit të Pentagonit. Kalifi i vetëshpallur i Shtetit Islamik, Abu Bakr Al-Bagdadi, është ende i lirë. “Beteja jonë sot është tërheqja, dhe goditja në befasi e armikut!”-deklaroi Al-Bagdadi në një mesazh video të publikuar në muajin prill.
Sipas vlerësimeve, çdo mundësi e një rikthimi të ISIS në hapësirën e dikurshme, mbetet tejet e vogël. Ndryshimet në kontekstin politik në Siri dhe Irak, e kanë zvogëluar ndjeshëm aftësinë e Shtetit Islamik për të përfituar nga armiqësia sektare, e ushqyer nga zhgënjimet e myslimanëve sunitë me autoritetet shiite në të dyja vendet.
Qeveria në Bagdad, e ka zgjeruar mbështetjen e saj në mesin e irakianëve sunitë. Presidenti sirian Bashar Aal-Asad, pasi shtypi revoltën kundër tij, i ka lënë më pak hapësirë militantëve sunitë që të mobilizohen. Dhe shumë sirianë dhe irakenë, që jetuan nën sundimin e egër të ISIS, e kundërshtojnë me forcë rikthimin e tij.
Por Shteti Islamik, duket se po ri-ngrihet në formën e një rebelimi të “nëndheshëm”. Sipas një raporti të publikuar verën e këtij viti nga inspektori i përgjithshëm i Pentagonit për operacionet kundër Shtetit Islamik, militantët kanë kryer atentate, sulme vetëvrasëse, rrëmbime, si dhe i kanë vënë zjarrin të korrave si në Irak, ashtu edhe në Siri.
Raporti thekson se në Siri, ISIS po ngre “celulat kryengritëse”, duke synuar të zgjerojë kontrollin në Irak”. Trump deklaroi fillimisht në dhjetorin e 2018-ës, se synonte të tërhiqte të 2.000 trupat e fundit amerikane nga Siria. Pentagoni e detyroi të tërhiqej nga ai qëndrim, dhe tërhoqi vetëm gjysmën e atyre trupave.
Megjithatë, zyrtarët ushtarakë thanë se ndihma ndaj Forcave Demokratike Siriane, për të ndjekur dhe eliminuar celulat e fjetura dhe luftëtarët e arratisur, kërkonte më shumë trajnim dhe mbështetje me informacione inteligjente, sesa një betejë e hapur për territore.
Muajin e kaluar, si të provonte gjallërimin e tij të vazhdueshme, ISIS mori përgjegjësinë për një sulm me bombë mbi një minibus, që vrau një duzinë njerëzish pranë hyrjes së një vendi pelegrinazhi shiit në qytetin irakian të Qerbelasë. Ishte sulmi më vdekjeprurës, që nga humbja e bastionit të tij të fundit.
Dhe pas disa orësh nga njoftimi i Trump, gati dy javë më parë, se forcat amerikane po largoheshin nga kufirit sirian me Turqinë, dy kamikazë të ISIS sulmuan një bazë ushtarake të Forcave Demokratike Siriane në qytetin sirian të Rakës. “Kryqtarët janë dorëzuar!”- kremtuan në internet përkrahësit e Shtetit Islamik.
Mesazhe të tjera “i nxitën” kudo ushtarët e ISIS-it, të dyfishojnë përpjekjet e tyre. Në misionet kundër Shtetit Islamik nga Forcat Demokratike Siriane, përfshiheshin me raste edhe ushtarët amerikanë. Por kurdët, u përballën me disa pakënaqësi nga arabët e Sirisë verilindore.
Ndaj për të fituar mbështetjen e këtij komuniteti, forcat e udhëhequra nga kurdët falën dhe liruan qindra luftëtarë ose përkrahës të ISIS, bazuar në të ashtuquajturat ‘marrëveshje pajtimi’. Ata u mbështetën pastaj tek marrëdhëniet joformale me udhëheqësit e komunitetit, për të trajtuar ri-integrimin e tyre.
Sot tërheqja e amerikanëve dhe inkursioni turk, po kërcënojnë mbikëqyrjen joformale të ish të burgosurve të ISIS, duke rrezikuar që disa prej tyre të shkojnë sërish të luftojnë në radhët e Shtetit Islamik. Pa mbrojtjen e SHBA-së, udhëheqësit kurdë po kalojnë tani në aleancë me Asadin.
Edhe në Irak, disa thonë se mund të shfaqen mundësi që Shteti Islamik të shfrytëzojë sërish pakënaqësitë e sunitëve në zonat që kontrollonte dikur. Premtimet për rindërtimin e vendit pas luftës shkatërruese, nuk janë mbajtur ende. Dhe milicitë shiite, që u ngritën për të mposhtur Shtetin Islamik janë ende në këto zona, dhe nganjëherë tentojnë të përfitojnë nga popullsia lokale.
Trumpi ka këmbëngulur në mënyrë të përsëritur, që Turqia të marrë përsipër vetë luftën kundër Shtetit Islamik në Siri. “Kjo do jetë përgjegjësia juaj”- i tha Trump presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan. Por zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm amerikanë, thonë se ushtria turke ka një histori të errët në luftën kundër terrorizmit. Për këtë arsye, ka pak shpresë që Ankaraja do të mbushë boshllëkun e lënë nga amerikanët dhe Forcat Demokratike Siriane./ TIRANA TODAY