Ti mund të mendosh se është mjaft e qartë se pamja e fytyrës tënde, përcaktohet nga gjenet tuaja. Për këtë mjafton të shohësh albumin familjar të fotove, dhe të konstatosh se ke të njëjtën formë të hundës, sy ose mjekër si gjyshërit, kushërinjtë dhe xhaxhallarët apo tezet.
Por ndërkohë mund të habiteni kur të mësoni se deri vonë, gjenetistët praktikisht nuk e dinin se cilat pjesë të ADN-së sonë ishin të lidhura me aspektet më themelore të pamjes së fytyrës. Ky hendek në dijet tona mbi këtë çështje, ishte problematik, pasi pamja e fytyrës luan një rol kaq të rëndësishëm në ndërveprimet njerëzore bazike.
Po çfarë dimë sot për gjenetikën e pamjes së fytyrës tonë? A mund ta parashikojmë me besueshmëri fytyrën e një personi nga ADN-ja e tij? Cilat janë implikimet për shëndetin dhe sëmundjet?
Sa gjene lidhen me pamjen e fytyrës? Ne nuk kemi ende një përgjigje të plotë për këtë pyetje. Po studimi i fundit i botuar në “Nature Genetics”, ka identifikuar më shumë se 130 rajone kromozomale të lidhura me aspekte specifike të formës së fytyrës.
Identifikimi i këtyre rajoneve është një hap i parë i rëndësishëm drejt kuptimit se si gjenetika ndikon në fytyrat tona, dhe se si një njohuri e tillë mund të ndikojë në shëndetin e njeriut në të ardhmen.
Studimi skanoi ADN-në e më shumë se 8.000 individëve për të analizuar raportet statistikore midis rreth 7 milion shënuesve gjenetikë, që janë vendete njohura në kodin gjenetik ku ndryshojnë njerëzit, si dhe dhjetëra matje të formave të fytyrës,të nxjerra nga imazhe 3D të fytyrës.
Kur gjejmë një lidhje statistikore midis një tipari të fytyrës dhe një ose më shumë shënuesve gjenetikë, kjo na tregon një rajon shumë të saktë të ADN-së tek një kromozom. Dhe gjenet e vendosura përreth këtij rajoni, bëhen “kandidatët” tanë kryesorë për tiparet e fytyrës si forma e hundës ose buzëve, sidomos nëse kemi informacione të tjera të rëndësishme për funksionin e tyre.
Për shembull, nëse ato mund të jenë aktive kur fytyra po formohet në embrion. Kur pamë kolektivisht gjenet që ndikojnë në këto rajone të ADN-së, u shfaqën disa modele interesante.
Hunda është pjesa e fytyrës që ndikohet më shumë nga gjenet tuaja. Dhe kjo nuk është për t’u habitur, pasi zona të tjera si faqet, të cilat janë shumë të ndikuara nga faktorë të stilit të jetës si dieta, në këtë studim treguan lidhjet gjenetike më të zbehta.
Ndërkohë, mënyrat se si këto gjene ndikojnë në formën e fytyrës, nuk ishin aspak të njëtrajtshme. U zbulua se disa gjene, kishin efekte shumë të lokalizuara, dhe ndikonin në pjesë shumë specifike të fytyrës, ndërsa të tjerat kishin efekte të gjera që përfshinin pjesë të shumta të saj.
Gjithashtu, studimi zbuloi se një pjesë e madhe e këtyre gjeneve, janë të përfshira në proceset themelore të zhvillimit, që ndërtojnë trupat tanë. Për shembull, në formimin e kockave, dhe në shumë raste, janë të njëjtat gjene që kanë ndikim në sindroma të rralla dhe anomali të fytyrës, si e çara e qiellzës.
Ndërkohë, u gjet se kishte një shkallë të lartë të mbivendosjes midis gjeneve të përfshira në zhvillimin e fytyrës dhe gjymtyrëve, gjë që mund të sigurojë një të dhënë të rëndësishme se pse shumë sindroma gjenetike karakterizohen nga keq-formimet e duarve dhe të fytyrës.
Po ashtu u zbuluan disa prova që gjenet e përfshira në formën e fytyrës, mund të përfshihen gjithashtu edhe tek disa lloje tumoresh, një zbulim ky intrigues për individët e trajtuar me kancer që në moshë të vogël, dhe që shfaqin disa tipare dalluese të fytyrës.
Dikush mund të pyesë: A ka të ngjarë që dikush të marrë ADN-në time, dhe të ndërtojë një fotografi të saktë të fytyrës time? Nuk ka gjasa që sot, apo në një të ardhme të parashikueshme, të ndodhë diçka e tillë. Imazhi i fytyrës së një individi, ashtu si çdo tipar kompleks gjenetik, është një detyrë shumë e vështirë.
130 rajonet gjenetike që kemi identifikuar, shpjegojnë më pak se 10 për qind të ndryshimit në formën e fytyrës. Ndërkohë tiparet e fytyrës, ndikohen nga shumë faktorë biologjikë dhe jo-biologjikë: mosha, dieta, klima, hormonet, traumat, sëmundjet, ekspozimi në diell, forcat biomekanike dhe kirurgjia. Këta faktorë bashkëveprojnë me gjenomin tonë në mënyra komplekse që as nuk kemi filluar ta kuptojmë ende.
Burimi i lajmit: https://www.livescience.com/genes-found-for-facial-features.html
Përshtatur nga TIRANA TODAY