Ja pse ndalimi i burkës nga Perëndim, e rrit rrezikun e ekstremizmit

Nga: Nilay Saiya “EuObserver”

Me një diferencë të ngushtë, qytetarët e Zvicrës votuan në fillim të këtij muaji që t’u ndalojnë grave myslimane të drejtën e mbajtjes në publik të mbulesës islamike të fytyrës, të njohur si nikab dhe burka.

Ky vendim, pason kufizime të ngjashme mbi mbulimin e fytyrës në Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Francë dhe Holandë, ku nëtë gjitha këto vend janë miratuar kufizime të plota ose të pjesshme mbi mbulesën.

Ndërsa ligjet kundër mbulesës së fytyrës në këto vende nuk e përmendin Islamin me emër, që të shmangin shkeljen e dispozitave kundër-diskriminimit, besohet gjerësisht se ato u drejtohen myslimanëve dhe në përputhje me rrethanat, cilësohen shpesh nga mbështetësit e tyre si “ndalesë”.

Ithtarët e ndalimit apo kufizimit të mbajtjes së mbulesës së fytyrës, besojnë se ajo është një simbol i mos-asimilimit të duhur të myslimanëve në shoqërinë kryesore evropiane, apo se i dehumanizon gratë, gjë që nga ana tjetër krijon komunitete të prekshme nga radikalizimi.

Ndërkohë, mbulesa shihet si një kërcënim i fuqishëm simbolik i lidhur me terrorizmin. Ato që e mbajnë perceptohen si përkrahëse të Islamit ekstremist dhe jo të Perëndimit laik, dhe që synojnë të promovojnë një ideologji politike radikale të Islamizmit në të gjithë kontinentin.

Në fakt, ky ishte edhe arsyetimi bazë që u përdor në rastin e Zvicrës. Sikurse u shprehValter Vobman, kreu i komitetit të referendumit, mbulimi i fytyrës përfaqëson një “simbol të këtij Islami politik ekstremist, që është bërë gjithnjë e më i spikatur në Evropë, dhe që nuk ka vend në Zvicër”.

Propozimi për të ndaluar mbajtjen e burkës apo nikabit në publik u iniciua nga Partia Popullore Zvicerane e së djathtës ekstreme, që bëri një fushatë me parulla si “Stop Islamit Radikal!” dhe “Stop Ekstremizmit!”.

Ligji i pasojave të padëshiruara

Por studimi im sugjeron se një ndalim i tillë, do të ketë efektin e kundërt, atë të rritjes së rrezikut të ekstremizmit dhe terrorizmit, sikurse ka ndodhur në vendet e tjera ku është ndaluar mbulimi i fytyrës nga gratë myslimane.

Në një studim mbi marrëdhëniet midis ndalimeve të burkës dhe terrorizmit në Evropë, unë kam zbuluar se kufizime të tilla janë të ndërlidhura fort me terrorizmin islamik, madje edhe kur kontrollohen nga një numër politikash dhe faktorësh ekonomikë që mund të lidhen me terrorizmin.

Ne kemi zbuluar se vendet që kanë kufizime të mbajtjes së mbulesës në kokë, përjetojnë gati 15 herë më shumë raste të sulmeve terroriste islamike, dhe 17 herë më shumë viktima të lidhura me terrorizmin sesa vendet që nuk kanë këto ndalime.

Testet tona të shumta statistikore, zbulojnë gjithashtu se këto sulme ndodhin më shumë pas dhe jo para kufizimeve në mbajtjen e mbulesës së fytyrës. Pra, përkundër asaj që mendohet zakonisht, kufizimet mbi mbulimin e grave myslimane e inkurajojnë terrorizmin.

Por pse ndodh kjo gjë?

Një shpjegim është se kufizimet mbi këtë veshje përbëjnë një shkelje serioze të lirisë fetare. Këto kufizime, krijojnë gjithashtu pakënaqësi midis grupeve të stigmatizuara dhe të margjinalizuara. Shumë studime gjatë dekadës së kaluar, kanë dokumentuar një marrëdhënie të fuqishme simbiotike midis shtypjes fetare nga lart dhe ekstremizmit fetar që vjen nga poshtë.

Jo pak terroristësh kanë pretenduar se kufizimet e veshjeve islamike, janë një nga faktorët kryesorë që i çon ata në rrugën drejt ekstremizmit të dhunshëm. Ndalimet e praktikës fetare, si mbajtja e mbulesës në kokë apo fytyrë, interpretohen si një sulm ndaj kulturës dhe vlerave të tyre, duke sjellë pakënaqësi dhe në disa raste duke çuar në akte dhune.

Një shpjegim tjetër, është se kufizime të tilla, shkelin të drejtat e grave. Kufizimet mbi veshjet fetare të grave, sjellin në mënyrë të pashmangshme izolimin e grave myslimane nga pjesa tjetër e shoqërisë, që është në fakt e kundërta e asaj që supozohet të përmirësojë ndalimi i mbajtjes së burkës dhe nikabit.

Një realitet i tillë, mund të bëjë gjithashtu që gratë myslimane, të cilat normalisht janë pengesa në procesin e radikalizimit, të jenë më të pritura të pranojnë idenë se dhuna është një mjet i përshtatshëm për të ndryshuar statuskuonë.

Në fakt, studimi im zbulon gjithashtu një marrëdhënie të rëndësishme shkakësore midis kufizimit të të drejtave të grave dhe konfliktit të dhunshëm. E gjitha kjo sugjeron që referendumi i fundit në Zvicër, ka të ngjarë të çojë në pasoja të padëshiruara dhe të vërë në lëvizje një spirale shtypjeje dhe rezistence, siç ka ndodhur edhe në vendetë tjera.

Pasojat e ndalimit të burkës tek siguria- për të mos u ndalur pastaj tek pasojat mbi të drejtat e njeriut –janë një këmbanë alarmi për Zvicrën që bashkë me vendet të tjera që kanë për momentin të njëjtën qasje ekstreme, të ri-mendojnë politikat e tyre të përjashtimit, dhe të njohin domosdoshmërinë e ndjeshmërisë kulturore ndaj pakicave fetare si themelin e sigurisë së tyre kombëtare.

Lajmi i mirë është se natyra e demokracisë së drejtpërdrejtë në Zvicër, u jep mundësi qytetarëve të vendit që ta ndryshojnë këtë vendim, sidomos duke pasur parasysh rezultatin e ngushtë.

Shënim: Nilay Saiya, është asistent/profesor i politikës publike dhe çështjeve globale në Universitetin Teknologjik Nanjang në Singapor, dhe anëtar e Institutit të Lirisë Fetare.

Ai është autor i librit “Arma e paqes:Si po e lufton terrorizimin liria fetare.

Burimi i lajmit: https://euobserver.com/opinion/151273

Përshtatur nga TIRANA TODAY