Sezoni turistik këtë verë duket se do të ofrojë siguri për pushuesit vendas dhe ata që kanë zgjedhur vendin tonë për të kaluar pushimet.
Policia e Shtetit është angazhuar në marrjen e masave për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë sezonit veror. Gjysma e komisariateve, 31 nga 60 në total, janë në gatishmëri të plotë për sezonin turistik.
Një urdhër i posaçëm u është shpërndarë strukturave në qarqe të cilat do të zbatojnë këto masa.
Edhe këtë vit është parashikuar të ketë punonjës policie me uniformë verore, biçikleta policie verore, si dhe moto-mjete ujore. Kjo risi për Policinë Shqiptare do të shtrihet si fillim në bregdetin e Jugut të vendit.
Një tjetër masë shtesë është edhe hapja e përkohshme e katër postave policore në Theth, Gjiri Lalëzit, Valbonë dhe Ksamil.