Ja për sa kohë janë të mbrojtur ata që e kanë kaluar virusin

Studimet kanë treguar se personat që e kanë kaluar Covid-19 janë imun, por sa zgjat kjo kohë ende nuk dihet më saktësi. Imunologu shqiptar Aldi Pupuleku, i cili punon në Spanjë tha në “Wake Up” se ajo çka dihet deri më tani është se personat që e kanë kaluar Covid-19 janë të mbrojtur nga tetë muaj deri në një vit. Në kohën kur kemi një vit që përballemi me virusin vdekjeprurës, edhe kërkuesit ndajnë qëndrime të ndryshme pasi të gjithë ne jemi të ndryshëm.

“Duke pasur parasysh faktin që kemi një vit që përballemi me këtë virus, normalisht ajo që dimë është ajo që ka ndodhur gjatë këtij viti.

Hulumtimet e fundit tregojnë se sistemi imunitar ose mbrojtja imunitare si përgjigje ndaj këtij infektimi mund të zgjasë nga tetë muaj deri në një vit, por jemi të limituar, pasi kemi vetëm një vit që përballemi me këtë virus.

Të gjithë ne jemi të ndryshëm. Ka pasur një hulumtim të publikuar së fundmi që tregon edhe variabilitete në gjene të caktuara që kodifikojnë për receptorë të qelizave të sistemit imunitar mund të determinojnë nëse një person e kalon infektimin me simptoma të lehta ose të rënda. Ajo që dimë aktualisht është se antitrupat janë një pjesë shumë e rëndësishme e sistemit imunitar”, sqaroi ai.