Ja cilat janë avantazhet e martesës mbi bashkëjetesën

Nga: Wendy L.Patrick ”Psychology Today”

Të gjithë i njohim. Çifte që janë bashkë për vite me radhë, por që hezitojnë zyrtarizimin me martesë të lidhjes së tyre. Pse? Të mësuar me këtë pyetje që u bëhet shpesh, këto çifte ofrojnë një larmi shpjegimesh:“Nuk kemi plan të kemi fëmijë”, “Nuk mund ta përballojmë dot martesën”, apo “E përse të prishim një gjë të mirë?”.

Megjithatë,shumë çifte ndahen ose lidhen sepse siç e kam shprehur edhe më herët, nuk mund të ketë kurrë një “kohë të duhur” për t’u martuar. Por studimet tregojnë se kur çiftet vendosin që të shkojnë drejt altarit, kambanat e dasmës e përmirësojnë mirëqenien psikologjike.

Në një shkrim me titull “A është bashkëjetesa aq e mirë sa martesa për mirëqenien subjektive të njerëzve?” Morten Bleksone, shqyrtoi saktësisht këtë çështje. Ai e përshkruan lumturinë si një gjendje emocionale të lidhur me reagime fiziologjike ndaj ngjarjeve të jetës, krahasuar me kënaqësinë, të cilën ai e përshkruan si një vlerësim njohës, që përfshin elementin shtesë të bërjes së krahasimeve shoqërore me grupet e tjera të referencës, ashtu si edhe shpresat, pritshmëritë dhe dëshirat individuale.

Bleksone në një analizë e hollësishme tregon se hyrja në bashkëjetesë ishte po aq e dobishme për lumturinë sa hyrja në një martesë. Por hyrja në martesë ishte pak më shumë e kënaqshme sesa thjesht të jetuarit së bashku, por vetëm midis njerëzve që nuk kishin qenë kurrë të martuar më parë.

Ky zbulim ishte i vërtetë si për burrat dhe për gratë, po ashtu edhe për moshat e ndryshme. Bleksone vëren se përfitimet e bashkëjetesës janë të ngjashme me martesën në lidhje me lumturinë, por jo në lidhje me atë se si individët që nuk kanë qenë kurrë të martuar më parë, përjetojnë kënaqësi të përgjithshme nga jeta.

Është qartazi më e komplikuar si në aspektin logjistik po ashtu edhe në atë emocional që t’i japësh fund një martese sesa një bashkëjetese. Ndarja e një adrese me dikë e bën më praktike dhënien fund të atij raporti.

Përfitimet relacionale krahasuese përjetohen në mënyra të tjera. Bleksone përshkruan dy arsye pse përfitimet nga marrëdhëniet, nuk përjetohen në mënyrë të barabartë nga çiftet në bashkëjetesë dhe martesë:stabiliteti i partneritetit, dhe rolet e përcaktuara shoqërore.

Sipas tij,martesa përfaqëson një angazhim më të fortë ligjor dhe më të thellë ndërpersonal, që e bën atë më rezistente ndaj prishjes sesa bashkëjetesa. Gjithashtu ai vëren se martesat janë më të qëndrueshme sesa bashkëjetesat, pjesërisht pasi divorci rregullohet më ligjërisht sesa thjesht përfundimi i një marrëveshjeje për të jetuar bashkë.

Ai vëren më tej se paqëndrueshmëria e marrëdhënies mund të krijojë stres brenda marrëdhënieve të bashkëjetesës, dhe që perceptimi i një rreziku më të madh të shpërbërjes mund të shpjegojë më shumë simptoma depresive midis individëve që jetojnë së bashku në krahasim me çiftet e martuara.

Sa i përket investimeve financiare në këto raporte, Bleksone vëren se çiftet që bashkëjetojnë mund të jenë më pak të gatshëm të investojnë në marrëdhëniet e tyre dhe në rrjetet shoqërore të tyre, në krahasim me çiftet ku qëndrueshmëria e marrëdhënies garantohet nga martesa.

Një investim i tillë përfshin pjesëmarrjen në rrjete dhe aktivitete të ngjashme shoqërore, së bashku me ndarjen e përgjegjësisë për fëmijët dhe pronën. Bleksone thekson se investime të tilla janë përvoja lidhëse për partnerët, dhe mund të gjenerojnë një shkallë më të lartë të mbështetjes sociale, si dhe një ndarje më të fortë të punës në mirëmbajtjen e familjes, duke çuar në rritjen e produktivitetit.

Gjithashtu Bleksone vëren se çiftet e martuara janë zakonisht shumë më të qarta në ndarjen e detyrave të shtëpisë, sesa çiftet që jetojnë së bashku, çka tregon se bashkëjetuesit kanë role shoqërore më pak të përcaktuara. Megjithatë, ai nënvizon se lidhja midis llojit të marrëdhënies dhe roleve të përshkruara shoqërore mund të ndryshojë midis vendeve dhe grupeve, si dhe gjatë periudhave të ndryshme në histori.

Ndryshe nga vendimi i një çifti për të bashkëjetuar, martesa shihet shpesh si një kapitull i ri dhe emocionues në jetë. Një martesë planifikohet, zgjidhet një vend, përpilohet një listë të ftuarish. Bleksone vëren se martesa mund të shihet si ngjarja më e rëndësishme e jetës, sesa thjesht vendimi për të bashkëjetuar me dikë.

Dhe ngjarjet madhore të jetës, kanë tendencën të kenë efekte më të forta dhe më të qëndrueshme në mirëqenien tonë njohëse, siç janë kënaqësia nga jeta, sesa përbërësit emocionalë të mirëqenies siç është lumturia. Martesa është njëkohësisht një besëlidhje dhe një zotim. Duke marrë parasysh përfitimet dhe avantazhet e mundshme, ai është një vendim që duhet të merret me kujdes dhe ndjeshmëri.

Burimi i lajmit: https://www.psychologytoday.com/intl/blog/why-bad-looks-good/202103/the-advantages-marriage-over-cohabitation

Përshtatur nga TIRANA TODAY