Një burrë që konsumonte rregullisht kokainë, pësoi dëmtime në tru, që e lanë për muaj më radhë të shtruar në spital, në një gjendje të vazhdueshme çoroditëse, dhe të paaftë për të lëvizur.
Prindërit e paidentifikuar të 45-vjeçarit, e çuan atë në departamentin e urgjencës, pasi ai ishte sjellë si i hutuar për dy ditë më rradhë, raportuan mjekët e tij në “Mater Dei Hospital, në qytetin-port të Msidas në Maltë, për “BMJ Case Report”.
Burri, që kishte një histori të gjatë të abuzimit me drogërat qetësuese të tipit benzodiazepinë, kishte konsumuar kokainë 2-3 ditë para se të mbërrinte në spital, u thanë mjekëve prindërit e tij. Kur u shtrua në spital, ai nuk do të ishte në gjendje të bashkëpunonte me mjekët, nuk lëvizte dot në mënyrë të vullnetshme gjymtyrët e tij, dhe nuk ishte në gjendje të kryente as detyrat më të thjeshta që i jepeshin.
Stafi mjekësor, druhej se burri ishte infektuar nga një infeksion, që kishte prekur sistemin e tij nervor qendror, ndaj e mjekuan me antibiotikë dhe ilaçe antivirale. Skaneri MRI, tregoi trurin e një njeriu që kishte një leukoencefalopati toksike, të shkaktuar pikërisht nga kokaina.
Me kalimin e kohës gjendja e pacientit u përkeqësua: ai vazhdoi të sillej në mënyrë konfuze, u bë shumë i mbyllur në vetvete, dhe jo komunikues. Përfundimisht ai u bë person katatonik: gjendja, ku një person nuk lëviz apo komunikon, por shfaqet vazhdimisht i irrituar, i hutuar dhe i shqetësuar. Gjendja shoqërohet zakonisht me simptomat e skizofrenisë.
Mjekët vendosën ta dërgojnë burrin në një qendër spitalore të kujdesit intensiv. Një muaj pasi u pranua në atë spital, pacienti ishte në gjendje të ndiqte udhëzimet e mjekëve. Ai nisi dalëngadalë të lëvizë krahët, dhe arrinte sërish të ndiqte urdhrat që i jepeshin.
Pas kryerjes së skanimeve të MRI, mjekët dyshuan se kokaina i kishte shkaktuar një çrregullim të rrallë të quajtur “leukoencefalopati inflamatore”. Mjekët e tij përjashtuan çfarëdo shkaqesh të mundshme të gjendjes së tij, përfshirë viruset.
“Prognoza është e tillë që sëmundja përparon me shpejtësi, dhe shpesh çon në vdekje”, ose mund të shkaktojë “paaftësi të konsiderueshme”, shkruajnë studiuesit. Tre muaj pasi mbërriti në spital, burri nuk ishte shëruar ende tërësisht, dhe ishte duke shënuar rezultate të ulta në testet njohëse. Ai u transferua më pas në një qendër rehabilitimi.
Pas vetëm 4-muajsh, ai ishte në gjendje të ecte vetë, dhe të kryente shumicën e detyrave të përditshme të një njeriu normal. Vetëm një vit pasi arriti për herë të parë në urgjencën spitalore, aftësia e tij konjitive ishte sërish normale. “Janë të rralla rastet, kur pacientë me simptoma të tilla, arrijnë që të shërohen plotësisht”, shkruan mjekët e tij.
Instituti Kombëtar për Abuzimin me Drogën në SHBA, e përshkruan kokainën si një “nxitës të fuqishëm, nga i cili krijohet varësi”. E prodhuar nga gjethet e bimës së kokës në Amerikën e Jugut, substanca ka përdorime të ligjshme mjekësore, dhe përdoret shpesh një anestetik.
Drogat që trafikohen në rrugë, përzihen shpesh me matariale të tjera si pudra e bardhë, mielli i misrit apo i grurit etj./ TIRANA TODAY