E mërkurë, 16 Qershor, 2021
24.5 C
Tirana

Izraeli dhe Palestina: Historia e një territori të diskutueshëm

Bombardimet midis Izraelit dhe Rripit të Gazës, të cilat kanë vazhduar që nga e hëna e 10 majit, dhe që kanë shkaktuar tashmë shumë viktima të pafajshme, e kanë shtuar frikën e një përshkallëzimi të mundshëm të dhunës midis grupeve të armatosura palestineze dhe ushtrisë izraelite.

Dhe kjo situatë mund të përshkallëzohet deri në pikën sa të shpërthejë edhe një herë një luftë e vërtetë, pavarësisht se Lidhja Arabe po kërkon ndërhyrjen e OKB-së. Për dekada me radhë, izraelitët dhe palestinezët janë konfliktuar se kush ka të drejtë të jetojë në të njëjtin rrip toke.

Kjo mosmarrëveshje ka ndarë miliona njerëz. Dhe nëse Lindja e Mesme është “unaza e botës”, siç e ka përcaktuar historiani Juval Noah Harari, kjo është gjithashtu edhe arsyeja e këtij konflikti të gjatë dhe të pazgjidhur. Por çfarë ka ndodhur?

Në fundin e shekullit XIX-të, u rrit ndjeshëm intoleranca ndaj hebrenjve. Në kundërpërgjigje, disa intelektualë themeluan Sionizmin, një lëvizje politike që bënte thirrje për rikthimin e gjithë hebrenjve në Palestinë, “tokën e premtuar” të Biblës. Emri rrjedh nga lartësia e “Sionit”, bërthama origjinale e Qytetit të Shenjtë, Jeruzalemit.

Dhe referenca ndaj traditës ishte shumë e madhe. Por popullsia e zonës, e kontrolluar nga Perandoria Osmane në shpërbërje e sipër dhe pa një entitet shtetëror, ishte kryesisht arabo- myslimane. Në fundin e Luftës së Parë Botërore, fuqitë evropiane (duke tradhtuar pritshmëritë e arabëve) ndryshuan ndjeshëm kufijtë e Lindjen e Mesme.

Britania e Madhe, e cila që nga viti 1917 ishte në favor të krijimit të një shteti hebre, fitoi Mandatin e Palestinës. Në lindje ajo themeloi Transjordaninë (më vonë Jordania), ndërsa në perëndim ra dakord që të mbronte vendbanimet hebraike, teksa garantoi edhe sigurinë e arabëve.

Në këto kushte, u shtua ndjeshëm ardhja e hebrenjve nga e gjithë bota. Pas valëve të para nga Evropa Lindore, mijëra hebrenj u larguan nga Evropa Perëndimore për të zbarkuar në tokën e paraardhësve të tyre, për shkak të ngjitjes në pushtet të regjimeve fashiste.

Disa grupime u rebeluan për të pretenduar identitetin palestinez, ndërsa në vitet 1936-1939 shpërtheu një revoltë e madhe. Britanikët e shtypën atë me forcë, ndërsa në të njëjtën kohë e kufizuan emigrimin e hebrenjve në këtë zonë.

Por tmerret e Holokaustit nazist përmbysën çdo skenar. Gjenocidi e forcoi shumë kauzën sioniste, ndaj “toka e premtuar” u kthye në një mollë sherri. Në këto kushte, Britania e Madhe zgjodhi tërheqjen nga Palestina dhe ia delegoi çështjen OKB-së.

Në vitin 1947 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën nr.181 (plani i ndarjes së Palestinës). Ajo parashikonte themelimin e njëkohshëm të 2 shteteve. Një shtet hebre (që do të mbulonte 55 për qind të territorit, dhe ku do të jetonin gjithashtu edhe 400.000 palestinezë), dhe një shtet arab (më i vogël në sipërfaqe dhe me një popullsia thuajse tërësisht myslimane), ndërsa Jeruzalemi u vendos nën kontrollin ndërkombëtar. Udhëheqësit hebrenj, që në atë kohë përfaqësonin 600.000 njerëz pranuan.

Lexo edhe :   Video/ Netanjahu konfuz, ulet sërish në karrigen e kryeministrit pas humbjes

Ndërkohë,palestinezët që përfaqësonin 1 milion e 250 mijë njerëz e refuzuan atë. Prandaj,kur më 14 maj 1948 para tërheqjes britanike, komuniteti hebre shpalli pavarësinë e shtetit të Izraelit me pëlqimin e shumë vendeve, përfshirë SHBA-në dhe Bashkimin Sovjetik, në zonë  shpërtheu lufta.

Shtetet fqinje të Lidhjes Arabe, e cilësuan Sionizmin si një ndërhyrje të huaj. Por arabët bënë shumë gabime. Në vitin 1949, u nënshkruan disa armëpushime (por jo marrëveshje për paqe), pas të cilave Izraeli fitoi edhe më shumë territore sesa ato të parashikuara nga marrëveshjet e OKB-së, përfshirë pjesën perëndimore të Jeruzalemit.

Lexo edhe :   Video/ Netanjahu konfuz, ulet sërish në karrigen e kryeministrit pas humbjes

Sikur të mos mjaftonte kjo, zonat e destinuara për palestinezët u pushtuan nga shtetet arabe: brezi bregdetar i Gazës nga Egjipti, dhe pjesa lindore e Jeruzalemit dhe i ashtuquajturi Bregu Perëndimor (në perëndim të lumit Jordan) nga Jordania. Shumë palestinezë u larguan nga shtëpitë e tyre nën presionin e izraelitëve.

Pra një tragjedi që u quajt Nakbah (Katastrofa):700.000 njerëz humbën shtëpitë, punën, dhe shumica përfunduan në kampet e refugjatëve të ngritura nga OKB. Në shenjë hakmarrje, shtetet arabe dëbuan 700.000 hebrenj në vitet në vijim.

Edhe ata u zhvendosën në territorin izraelit, duke iu bashkuar 250.000 të tjerëve që erdhën nga Evropa. Një shtet gjithnjë e më i fortë dhe më i populluar si Izraeli, mund të provokonte vetëm zemërimin e shteteve arabo-myslimane. Në tetor të vitit 1956, gjatë Krizës së Suezit, Izraeli iu bashkua ekspeditës ushtarake anglo-franceze për t’i dhënë një goditje Egjiptit.

Vetëm kërcënimet e forta nga SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik e parandaluan luftën e hapur. Në vitin 1964 grupimet militante palestinezeu shprehën të vendosura të zhduknin shtetin hebre, dhe po atë vit me mbështetjen e Lidhjes Arabe, u krijua Organizata për Çlirimin e Palestinës.

Për të mbrojtur tregtinë e tij në Detin e Kuq, Izraeli ndërmori një sulm paraprak ushtarak kundër Egjiptit në qershorin e vitit 1967. Në konflikt ndërhynë Siria dhe Jordania. Ushtritë arabe u mundën shpejt, teksa Izraeli pushtoi territore të reja duke pushtuar Jeruzalemin Lindor, Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës, Lartësitë Golan dhe Gadishullin Sinai.

Në vitin 1973, gjatë festës hebraike Yom Kippur, Egjipti dhe Siria pushtuan Sinain dhe Lartësitë Golan. Konflikti u fut në një ngërç. Për të dëmtuar mbështetësit e Izraelit, vendet e Lindjes së Mesme bllokuan eksportet e naftës. Kjo shkaktoi një krizë energjetike që e dëmtoi shumë Perëndimin në aspektin ekonomik. Situata u lehtësua vetëm në vitin 1978, me marrëveshjet e Camp David, kur Izraeli u largua nga Sinai dhe Egjipti dhe e njohu shtetin hebre. Luftërat pushuan, por hebrenjtë dhe palestinezët nuk u pajtuan dot.

Burimi i lajmit: https://www.focus.it/cultura/storia/israele-e-palestina-la-storia-di-una-terra-contesa

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Euro 2020/ Turqi-Uells 18:00, Turqia pret reagim, ndeshja e fundit mes tyre 6-4

18:00: Turqi - Uells (Grupi A, Baku) Turqia u shkërmoq nga Italia në Romë të premten, për një pjesë të madhe të ndeshjes e mbyllur...

Ishte krahu i djathtë i Arta Markut/KPK shkarkon prokuroren e njohur të Tiranës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën vendimin e shkarkimit nga detyra për prokuroren e Tiranës, Alketa Zifla. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar...

‘Basha vodhi zgjedhjet’, grupimi ‘Për PD’-në zbardh shkeljet

Grupimi 'Për PD-në' ka dalë në një konferencë për media, ku kanë listuar arsyet pse Basha fitoi një mandat të tretë në krye të...

Euro 2020/ Dita hapet me Finlandë-Rusi, për rusët detyrim fitorja ndaj fqinjëve

Faza e grupeve të UEFA EURO 2020 hyn sot në xhiron e ndeshjeve të dyta. Finlanda përballet me Rusinë, Turqia përballet me Uellsin dhe...

Të ndalet sa më shpejt gjenocidi ndaj myslimanëve në Kinë

Nga Joseph Bosco “The Hill” Kur tmerret e plota të Holokaustit Nazist ishin më se të qarta edhe për mohuesit më kokëfortë gjatë viteve 1940-1950,...