E hënë, 20 Shtator, 2021
28.5 C
Tirana

Izrael-Palestinë: Si viktimat u bënë agresorë

Nga: Jonathan Holslag “Eu Observer”

Tensionet midis Izraelit dhe Palestinës po rriten vazhdimisht. Ka një numër mësimesh që duhen nxjerrë nga vala e fundit e dhunës. Ajo ç’ka bie me qartë në sy këto ditë, ka të bëjë me epërsinë e madhe ushtarake të Izraelit. Avionët luftarakë kanë rrethuar dhe bombarduar pa mëshirë Rripin e Gazës.

Ndërkohë, nga qindra raketa të lëshuara nga organizata palestineze e rezistencës Hamas, vetëm 15 për qind e tyre arritën të kapërcejnë mbrojtjen anti-ajrore izraelite. Çdo raketë që neutralizon raketat e lëshuara, kushton rreth 50.000 euro.

Buxheti i mbrojtjes i Izraelit është 17 miliardë euro, 200 herë më i lartë se ai i Hamasit. Pra, është një përballje si ajo e Davidit kundër Goliatit. Dhe dominimi i Izraelit po rritet. Si në aspektin ushtarak, ashtu edhe atë politik. Izraelit nuk i bëjnë aspak përshtypje thirrjet e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund bombardimeve, dhe po injoron hapur marrëveshjet ndërkombëtare.

Asnjëherë më parë nuk janë ndërtuar kaq shumë vendbanime të reja, si në vitet e mëparshme. Shumica e tyre janë në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare, dhe rreth 10 për qind e ndërtimeve të reja ndodhen në një zonë shumë të largët.

Ndërkohë, gjithnjë e më shumë familje palestineze në pjesën lindore të Jeruzalemit po detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre. Izraeli është hedhur në sulm. Një vëzhgim tjetër ka të bëjë me qëndrimin kaotik të aleatëve tradicionalë të palestinezëve. Ka shumë zhurmë dhe tmerr mbi veprimet izraelite.

Por askush nuk shkon përtej denoncimit verbal. Solidariteti i dikurshëm pan-arab dhe islamik, duket se është zhdukur njëherë e mirë. Lindja e Mesme po dominohet nga Realpolitika. Për sauditët, Izraeli është bërë një aleat i domosdoshëm kundër Iranit.

Edhe regjimi në Egjipt po mbështetet tek shërbimi inteligjent izraelit, për të mbajtur nën kontroll disidentët e tij, përfshirë Vëllezërit Myslimanë. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, figurat publike më me ndikim shprehin mirëkuptimin e tyre për luftën izraelite kundër terrorizmit.

Këto regjime synojnë stabilitetin, dhe nuk mund të përkrahin ngatërrestarët. Këto janë mësimet më të dukshme nga kjo situatë. Por çështja bëhet veçanërisht intriguese, kur e vendosim në një perspektivë historike. Atëherë, duhet të arrihet në një përfundim shumë më thelbësor dhe të papërshtatshëm për natyrën e politikës së pushtetit.

Marrëdhënia midis Izraelit dhe Palestinës, është në fakt si një eksperiment i madh, i ngjashëm me atë që u krye dikur në burgun e Stenford. Ai eksperiment i viteve 1970, tregoi se nëse u jep njerëzve pushtet, ata fillojnë të abuzojnë shumë shpejt me të.

Në rastin e Izraelit, është veçanërisht dramatike të shihet se si njerëzit dikur të shtypur kanë evoluar falë fuqisë së tyre të pa masë, duke marrë rolin e shtypësit, pra viktima është shndërruar në një agresor.

Në shoqërinë tonë të begatë, është joshëse t’i trajtojmë me dhembshuri ata që kanë jetuar nën privime dhe shtypje, duke menduar se ata janë të prirur drejt pajtimit dhe butësisë pas rimëkëmbjes së tyre. Por përvojat e këqija, shkaktojnë shpesh urrejtje, hakmarrje, shovinizëm dhe agresivitet.

E vetmja gjë që duhet bërë është një ndryshim në ekuilibrin e fuqisë, siç arritën ta bëjnë sionistët gjatë shekullit të kaluar. Mund të duket e pakëndshme, por ndonjëherë njerëzit për të cilët kemi dhembshuri sot, janë padronët e së nesërmes.

Ruanda, Afrika e Jugut

Përveç Izraelit, ka edhe disa shembuj të tjerë të kohëve të fundit. Shihni Ruandën. Viktimat e gjenocidit të vitit 1994, Tutsit, janë sot në pushtet, dhe ata janë të pamëshirshëm në shtypjen ndaj Hutuve, madje edhe jashtë vendit. Apo merrni rastin e Afrikës së Jugut.

Pavarësisht lutjes së të ndjerit Nelson Mandela, për të shmangur një skenar të tillë, vendi po kalon në Aparteidin kundër të bardhëve. Kohët e fundit, një mësuesi me origjinë të përzier iu refuzua një vend pune, pasi ai refuzoi të regjistrohej si “me ngjyrë” ose “i bardhë”.

Supremacizmi i të bardhëve po zëvendësohet nga supremacizmi i zezakëve. Pa asnjë mëshirë. Ndërsa shkojmë më tej në histori, shembujt vetëm sa shtohen. Moskuptimi, shovinizmi, racizmi dhe urrejtja janë kudo.

Dhe nuk është rasti që një kulturë, një popull apo një racë të ketë më pak apo më shumë “talent” ndaj një sjellje të tillë. Ajo që e përcakton qëndrueshmërinë dhe ndikimin e fenomeneve është shpërndarja e pushtetit. Dhe ky ekuilibër pushteti është gjithmonë në lëvizje.

Kompleksi i inferioritetit të së tashmes, përmban ndonjëherë farën e dëshirës së nesërme për të pohuar vetveten. Dhe një çlirimtar mund të shfaqet në mënyrë të përkryer si një sundimtar i ri.

“Ne nuk bëjmë dallime midis njerëzve, dhe feja nuk bën asnjë ndryshim”, shprehej ideologu sionist Teodor Herzl. Por shumë gjëra mund të ndryshojë në 100 vjet, dhe nëse duam ta kuptojmë botën, ne nuk duhet të jemi të verbër ndaj këtyre ndryshimeve.

Shënim: Jonathan Holslag, jep leksione mbi politikën ndërkombëtare në Universitetin e Lirë të Brukselit (VUB) 

Burimi i lajmit: euobserver. Përshtati: TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Ndodh edhe kështu/Nuk siguroi dot biletën, tifozi fshihet në tualetin e femrave

Për të parë skuadrën e zemrës, ia vlen çfarë do lloj sakrifice. Një tifoz skocez i skuadrës së Sëlltikut është përballur me një të...

E mendonin të vdekur në Pukë, si i dështoi plani për inskenimin e vrasjes

Vijojnë hetimet ndaj biznesmenit italian Davide Pecorelli, të cilit i dështoi plani për inskenimin e vrasjes. Shqipëria nis hetimet për "shkatërrim prone" e "dëmtim...

Thellohet tragjedia, shuhet familja Gjoka nga shpërthimi i bombolës së gazit

Pas dy motrave dhe mamasë, ka humbur jetën edhe djali 12-vjeçar i familjes Gjoka. Enriko Gjoka 12 vjeç, fatkeqësisht nuk ia ka dalë t'i...

Vendimi/Çfarë është reciprociteti për targat e Serbisë? Blindohet kufiri

Duke parë situatën e agravuar tashmë mes Kosovës dhe Serbisë, Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga ana e qytetarëve që të shfrytëzojnë...

Prag konflikti, pritet tërheqja e Beogradit nga marrëveshjet me Kosovën

Menjëherë pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit të targave, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka lajmëruar për një mbledhje urgjente të...