Ivanka Trump, vajza e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, mund të jetë kreu i radhës i Bankës Botërore. Ajo pritet të jetë një ndër kandidatët që do të marrë këtë post, pasi Jim Yong Kim, presidenti aktual njoftoi dorëheqjen edhe pse duhen 3 vite deri në përfundim të mandatit.
Ivanka do të jetë një mes emrave kandidatë, ku bën pjesë edhe ambasadorja e mëparshme e OKB-së Nikki Haley, e cila dha dorëheqjen si ambasador muajin e kaluar, raportoi Financial Times të premten. Ivanka mendohet të ketë mundësi reale për këtë post, pasi ajo ishte drejtuesja e një fondi prej 1 miliard dollarësh nga Banka Botërore, për të promovuar sipërmarrjen nga gratë në vendet Saudite.
Para se të bëhej këshilltare e babait të saj në Shtëpinë e Bardhë, Ivanka ishte një zëvendëspresidente ekzekutive në Organizatën Trump. Ajo filloi karrierën e saj si një modele para se të futej në biznes dhe të shoqëronte babanë e saj në emisionin televiziv “The Apprentice”.
Emrat e tjerë që përfshihen janë Nënsekretari i Thesarit për Çështjet Ndërkombëtare, David Malpass dhe Mark Green, kreu i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, raportoi gazeta. Departamenti i Thesarit nuk pranoi të komentojë mbi kandidatët e mundshëm.
Departamenti ka marrë një “numër të konsiderueshëm rekomandimesh”, tha një zëdhënës. “Ne po fillojmë procesin e shqyrtimit të brendshëm për një kandidat të SHBA. Ne shpresojmë që të punojmë me guvernatorët për të zgjedhur një udhëheqës të ri. ‘
Sipas një marrëveshjeje të pashkruar, Shtetet e Bashkuara, që është aksionari më i madh i bankës, gjithmonë kanë zgjedhur udhëheqësin e saj që kur u themelua institucioni pas Luftës së Dytë Botërore.
Por suksesi i një kandidati të SHBA nuk duket më plotësisht i sigurt. Kim ishte kandidati i parë amerikan që u përball me një zgjedhje të kontestuar për presidencën e Bankës Botërore në vitin 2012 dhe bordi i bankës tha se procesi i përzgjedhjes së tij do të jetë “i hapur, i bazuar në merita dhe transparencë”, duke nënkuptuar që kandidatët jo-amerikanë nuk do të përjashtoheshin.
Administrata e Trump ka qenë kundër institucioneve globaliste siç është Banka Botërore, por tani do të jetë e ngarkuar me sugjerimin e dikujt për rolin drejtues të saj. Bordi i Bankës Botërore tha të enjten se do të fillojë pranimin e nominimeve për një udhëheqës të ri në fillim të muajit të ardhshëm dhe do të emërojë një zëvendës për Kim deri në mes të prillit. Përshtati TIRANA TODAY