Italia vijon të jetë një ndër vendet më të prekura nga koronavirusi në botë.
Edhe pse numri i viktimave ka rënë ndjeshëm, në krahasim me disa ditë më parë, prapë shifrat mbeten tepër të larta.
Në 24 orët e fundit në shtetin fqinj janë regjistruar 575 viktima (50 më shumë se dje), ndërsa janë shënuar 3,493 raste të reja. Kështu numri total i viktimave ka shkuar në 22,745.
Që nga shpërthimi i koronavirusit në Itali janë regjistruar gjithsej 172,434 persona të infektuar me virusin vdekjeprurës.
Sipas kreut të Emergjencave Civile, Andrea Borrelli lajm i mirë është që po vijon të ulet numri i personave të shtruar në terapinë intensive.
Në 24 orët e fundit në vendin fqinj janë shëruar 2,563 persona, teksa numri total i personave që kanë arritur të mposhtin koronavirusin është 42,727.
Mbi 106 mijë raste janë ende aktive në Itali, ndërsa 2,812 pacientë ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Italia renditet e dyta në botë për numrin më të madh të viktimave të shkaktuara nga koronavirusi, pas SHBA që regjistron 35,500 persona të vdekur.
Më shumë se 2,2 milionë njerëz nga e gjithë bota janë prekur nga COVID-19, ndërsa mbi 150 mijë persona kanë humbur jetën.