Italia hap dyert për 30 850 emigrantë për punësim sezonal gjatë vitit 2019. Ministria e Brendshme italiane ka aprovuar një draft ligjor për pranimin e 30 850 emigrantëve nga vendet ekstra komunitare mes të cilave dhe Shqipëria.
Por, ministri Salvini ka një kusht për ata që kërkojnë të punësohen në Itali, teksa ka kërkuar që të mos pranohen të hyjnë në Itali emigrantë nga vendet që nuk janë bashkëpunues me qeverinë italiane në sistemin e riatdhesimit të emigrantëve jo të rregullt.
Ministri i Brendshëm italian ka propozuar hartimin e një “black list” të vendeve që nuk pranojnë nënshkrimin e marrëveshjeve për kthimin në vendim e origjinës të emigranteve ilegalë, vende si Senegal, Mali, Uganda, Pakistan, Bangladesh etj.
Nga këto leje qëndrimi, mbi 18 mijë janë parashikuar të jepen për emigrantë që do të punësohen gjatë sezonit të verës në fermat bujqësore e mbi 12 mijë të tjerë u jepet mundësia të konvertojnë lejet e qëndrimit për motive studimi, humanitar, apo shëndetësor në leje qëndrimi pune sezonale, raporton lapsi.al.
Po ashtu, 3 mijë leje të tjera qëndrimi do të vihen në dispozicion të emigrantëve që zotërojnë një leje qëndrimi sezonal e mund ta konvertojnë në leje me afat më të gjatë qëndrimi.
Dekret ligji për pranimin e kuotave të reja të emigrantëve për vitin 2019 pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave i qeverisë Italiane.