Një i moshuar u gjet dje i masakruar me thikë në banesën e tij në Vlorë. 91-vjeçari, Seri Petanaj, i cili u gjet i vdekur në banesë, dyshohet se është vrarë. Të ndjerit i janë gjetur shenja goditje me thikë në trup dhe fyt. Për ngjarjen kanë reaguar edhe fqinjët e 91-vjeçarit, që shprehen se ende nuk e besojnë atë që ka ndodhur.
Një prej tyre thotë se 91-vjeçari është gjetur në tualetin e banesës së tij, i dëmtuar me thikë.
“Unë sot e dëgjova. Ishte burrë i mirë, i nderuar, me djem të mirë. Kur mora vesh sot, u habita. Mirë që e grabitën, por pse e vranë? E kishin lidhur, mbyllur në banjo, e kishin qëlluar me thikë”, tha fqinji.
I moshuari u gjet i vdekur në banesën e tij në lagjen “4 Heronjtë”, ndërsa jetonte vetëm. Policia e Vlorës konfirmoi se në trupin e viktimës janë konstatuar dëmtime me mjet prerës.
Tentativa për një grabitje të mundshme bazohet në gjurmët e gjakut të gjetura në disa mobilje dhe sirtare. Dyshohet se grabitësit, ende të paidentifikuar, janë futur në banesën e të moshuarit për ta grabitur. Kur kanë ndeshur rezistencën e tij, e kanë qëlluar me thikë.
Aktualisht po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes së rëndë.