Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin nr.6 në Tiranë, është arrestuar nga SPAK për një sërë ngjarjesh kriminale, përfshirë edhe sigurimin e kushteve për vrasje.
Report Tv ka zbardhur pjesë nga dosja, në të cilën zbulohet edhe roli i Dedan Gjonit. Shefi i Krimeve ka bashkëpunuar me personat në hetim Bujar Gërmizi dhe Ismail Zeneli, duke ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të sigurimit të kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e vellezërve Emdond Nela, Albert Nela dhe Silvi Nela, me qëllim vrasjen e tyre.
Në bisedat sipas dosjes përfitohen të dhëna të ekzistencës së një konflikti mes tyre.
‘Personat nën hetim, interpretohen vetëm në drejtim të vrasjes së vëllezërve Nela’- thuhet në dosje.
Më tej Bujar Ajeti në marrëveshje me Ismail Zenelin janë investuar personalisht në gjetjen e banesave të Albert dhe Edmond Nelës, me qëllim gjetjen e tyre për t’i ekzekutuar.
Dedan Gjoni, në rolin e punonjësit të policisë ka përdorur sistemet e policie, në të cilat ka pasur akses për shkak të detyrës, në shërbim të Ismail Zenelit.
‘Rezulton se Dedan Gjoni ka vepruar në shkelje të plotë të detyrave funksionale dhe ka krijuar kushtet që mund të cenojnë jetën e personave Edmond dhe Albert Nela. (…). Dedan Gjoni ka qenë në dijeni të qëllimeve të Ismail Zenelit’- thuhet në dosje.
Në një bisedë në datën 24.02.2021 shprehet: Besoj kësaj radhe jemi në shenjë! Me qetësi do e marrim tani! Jemi në kokë!.
Sipas dosjes, Dedan Gjoni nuk ka pasur njohje të mëparshme me Ismail Zenelin, por në një periudhë të shkurtër kanë komunikuar së bashku, dhe kanë pasur si qëllim marrëjn e informacionit për vendodhjen e vëllezërve Nela.