Ish-Presidenti Alfred Moisiu mbush 91 vjeç, ja disa fakte nga jeta e tij

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Mosisiu sot feston 91-vjetorin e lindjes. I lindur në Shkodër në vitin 1929, djali i Spiro Moisiut, në moshën 73-vjeçar u zgjodh kryetar shteti. Nano dhe Berisha ranë dakord për kandidaturën e tij, dhe mori 97 vota në Kuvend nga 84 të nevojshme. Moisiu drejtoi vendin në një mandat 5-vjeçar, nga viti 2002 e deri në 2007-ën.

Me karrierën e ish-ushtarakut të lartë, u angazhua tërësisht për integrimin e Shqipërisë në NATO. Si Nano dhe Berisha, një vit pasi e zgjodhën, i dolën kundër pasi ai nuk pranoi t’u bindej verbërisht. Ai kujtohet si i vetmi president ‘’mbi palët’’, dhe si një njeri i dialogut dhe respektit politik. Moisiu kujohet si i vetmi president që mbylli brenda presidencës, për një natë të tërë liderët politikë.

Kriza e çertifikatave në vitin 2007, ngujoi në presidencë, Ramën, Metën dhe Topin i cili do të pasonte në detyrë Moisiun. ”Gjenerali’’, është i vetmi President që ka vizituar trupat tona ushtarake në Mosul, (Irak), Afganistan dhe Bosnje.

Alfred Moisiu është nxjerrë tre herë në pension, më 1986, 1997 dhe 2007. Presidenti Moisiu, priti dhe organizoi vizitën e të vetmit president amerikan në Shqipëri, në qershor të vitit 2007.

Në vitin 2004, kur kishte një vit e gjysmë në presidencë, humb djalin e vetëm në një aksident tragjik. Në atë kohë, familja presidenciale nuk kishte mbrojtje shtetërore. Moisiu është i vetmi president që vijon të jetojë në apartamentin që ka pasur edhe përpara zgjedhjes në këtë post. Ai është baba i tre vajzave dhe një familjeje të madhe me nipër, mbesa e stërnipër.

Edhe sot, si një ushtarak, zgjodhet gjithmonë në 05:30 të mëngjesit dhe vijon aktivitetin e tij. Moisiu është i vetmi politikan shqiptar që mori dekoratë të lartë nderimi nga ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai është i vetmi president që nuk krijoi parti, dhe as kandidoi në poste partiake pas mbarimit të mandatit presidencial. Moisiu është i vetmi president, që nuk ka marrë dekoratë, apo derim tjetër nga shteti shqiptar.