Ish-kryetari i PD: Mosnjohja e zgjedhjeve, akt jo demokratik dhe antishqiptar

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami ka reaguar për herë të parë në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku kryedemokrati Lulzim Basha i quajti të manipuluara dhe tha se nuk do të njohen.

Sipas Selamit, i cili garoi kundër Bashës në vitin 2017 për kreun e PD-së, mosnjohja e zgjedhjeve është një akt jo dempokratik dhe antishqiptar.

“Mosnjohja e zgjedhjeve nje akt jo demokratik dhe antishqiptar”, shkruan Selami në rrjetin social, Twitter.

Ndërkohë, një ditë pasi mblodhi krerët e degëve të PD-së dhe të gjithë strukturën e partisë në selinë blu, Basha do të zhvillojë sërish sot një tjetër mbledhje.

Gjatë mbledhjes do të diskutohet për abuzimet që janë bërë nga pushteti, në blerjen e votës, angazhimi i administratës në fushatë, por edhe tenderat e lëshuara në katër muajt e fundit, gjë e cila sipas tij, me ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë të ndaluara.

PD e LSI akuzojnë PS-në se krijoi një industri elektorale dhe se vota u manipulua jo vetëm duke u blerë, por me një sërë mjetesh që deformuan vullnetin e qytetarëve. PS doli fituese me 74 mandate, PD me 59, LSI me 4 dhe PSD me 3.