Ish-kryebashkiaku i Lezhës: Si e refuzova ofertën joshëse për inceneratorët

Ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj shprehet kundër qasjes së qeverisë shqiptare për të zgjidhur problemin e mbetjeve përmes inceneratorëve.

Ai solli përvojën e tij në krye të bashkisë së Lezhës me diferencimin e mbetjeve në burim, e që sipas tij janë e vetmja zgjidhje për vendin.

Viktor Tushaj: Ka qenë një procedurë shumë abuzuese.Inceneratorët nuk janë qasje e duhur për Shqipërinë. Në Lezhë kam pasur fatin që në 2008  të implementoj mbledhjen e mbeturinave në mënyrë të diferencuar. Ishte projekt shumë ambicioz me katër kontenierë. Krijuam zinxhirin e mirëfunksionimit dhe të shitjes.Inceneratorët në Shqipëri absolutisht nuk kanë qenë zgjidhja e duhur përveçse një zgjedhje korruptive për t’iu dhënë mundësi atyre të fitojnë para.

Tushaj tregoi për ‘Ora News’ se edhe vetë ai si Kryebashkiak ka pasur oferta tejet joshëse për ndërtimin e inceneratorëve në qytet.

Viktor Tushaj: Kam pasur oferta kur isha kryetar i bashkisë së Lezhës për të ndërtuar inceneratorë në qytetin e Lezhës. Ishin oferta shumë joshëse, të tilla si më jep lejen për inceneratorin dhe unë të jap energji elektrike falas për qytetin për 10 vite. Një kompani që të bën një ofertë të tillë imagjino se çfarë fitimi ka dhe çfarë impakti negativ ka në mjedis. Jam i bindur që kryeministri dhe qeveria shqiptare nuk e kanë menduar mirë. Shumë vende të Europës që kanë mundësi të kontrollojnë teknologjinë nuk arrijnë në një vendimmarje të tillë që të djegin mbetjet.