Ish-këshilltari për siguri kombëtare i ish-presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, ka folur në lidhje me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, dhe çështjeve që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor.
Në një intervistë për Kosovo-online, Bolton tha se kur ishte këshilltar i sigurisë kombëtare, së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologun serb, Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar mundësinë e një korrigjimi të vogël territorial.
John Bolton: ”Mund t’ju them se kur isha këshilltar i sigurisë kombëtare, diskutova me Presidentin Thaçi dhe Presidentin Vuçiç, për mundësinë e një korrigjimi të vogël territorial, që pas u shqyrtua.. Nëse do të mund ta kapërcenim shpërbërjen e Jugosllavisë në 1991 dhe unë e di që historia shkon shumë më larg se 30 vjet, atëherë ajo mund të jetë pjesë e një pakete më të madhe që do të na çonte drejt një zgjidhjeje. Nëse njerëzit nuk dëshirojnë të flasin për korrigjimin e territorit, me përkufizim ju hiqni një zgjidhje të mundshme përbërëse dhe ngushtoni opsionet për zgjidhje, dhe me përkufizim krijoni një situatë në të cilën është më e vështirë të gjesh një zgjidhje. Qeveria e Kosovës ka të gjithë të drejtën të thotë se nuk dëshiron të diskutojë për korrigjimin e territorit, por mendoj se atëherë praktikisht do të thotë se nuk do të ketë progres në negociata.”
I pyetur nëse Kosova dhe Serbia mund të arrijnë një marrëveshje, Bolton u shpreh se është e nevojshme që të bëhen edhe kompromise të dhimbshme, teksa shtoi se Bashkimi Europian ishte e pakënaqur kur ai kishte tentuar të ndërhynte në dialogun mes dy vendeve.
John Bolton: ”Kur u përpoqa të ndërhyja, me sugjerimin e ish-kryeministrit britanik Tony Bler, ndër të tjera, kur isha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SH.B.A., Evropianët ishin shumë të pakënaqur kur dëgjuan për interesin tim. BE ka negociuar për më shumë se një dekadë pa ndonjë përparim të rëndësishëm dhe Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë në një perspektivë të re. Unë besoj se arritja e një marrëveshje duhet të jetë një përparësi për të gjithë, edhe nëse është e nevojshme të bëni kompromise që duken të dhimbshme, sepse atëherë ju mund të ecni përpara në çdo aspekt, si politik ashtu edhe ekonomik. Për shembull, në lidhje me emrin e Maqedonisë dhe ndryshimin në Maqedoninë Veriore, ai është akoma i njëjti vend, me të njëjtët njerëz, çështja me Greqinë është zgjidhur dhe ne shpresojmë që të gjithë të mund të ecin përpara së bashku.”