E diel, 20 Qershor, 2021
23.5 C
Tirana

Ish-drejtori i Policisë së Kufirit: Pse ndodhi grabitja dhe kush është përgjegjës për sigurinë

Pëllumb Nako, ish-Drejtor i Policisë së Kufirit, aktualisht ekspert i çështjeve të sigurisë, e cilëson ngjarje të rëndë grabitjen e vlerave të mëdha monetare në pistën e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Shqipëri.

pellumb nako

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Nako shprehet se një grabitje e tillë në vendin ku duhet të jetë modeli i sigurisë kombëtare, siç është aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, tregon se ka rënë në gjunjë autoriteti i shtetit, ndërsa siguria është degraduar. Duke bërë një analizë edhe të grabitjes së parë, thuajse të njëjtë në pistën e aeroportit, eksperti i sigurisë shprehet se nuk është përmirësuar asgjë sa i takon nivelit të sigurisë, “pasi nga sa ka raportuar media, mënyra e veprimit të depërtimit të grabitësve në pistën e avionit është thuajse e njëjtë me të parën. Kjo është e pafalshme”.

Sipas tij, shteti shqiptar duhet të garantojë sigurinë në aeroport, edhe pse aty kemi të bëjmë me një koncesionar. “Nuk do të ishte ndonjë problem i pakalueshëm apo i madh nëse hartohej një ligj, pse jo i veçantë, për sigurinë e Aeroportit të Rinasit. Në bazë të këtij ligji, koncesionari të detyrohet ta ndajë gjithë hapësirën aeroportuale, që menaxhon në zona të ndryshme sigurie dhe me nivel të ndryshëm”, shprehet Nako.

Zoti Nako, sot në Aeroportin e Rinasit ndodhi një grabitje e rëndë. Një grup grabitësish hyri në brendësi të aeroportit dhe kreu një grabitje në sasi disa milionëshe eurosh. Si e gjykoni këtë fakt?

Pa dyshim, ngjarja është e rëndë. Vetë vepra penale e grabitjes me forcë, siç dihet gjerësisht, klasifikohet në veprat penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi ajo presupozon përdorimin e dhunës, rrezikimin apo edhe humbjen e jetës së viktimës, ndaj dhe natyrshëm dënohet me shumë vite burg. Në rastin tonë, ajo ka edhe trajtën e një grupi kriminal, apo të një komandoje shumë të strukturuar, gjë që e rëndon akoma më shumë vetë aktin e grabitjes. E bëra këtë përkufizim të përciptë të rrezikshmërisë së kësaj vepre penale, për të vënë më shumë në dukje panikun që ajo shkakton kur kryhet brenda një hapësire, e cila presupozohet se ka siguri absolute. Pra, në rastin konkret, pista e avionëve të aeroportit. Ajo që të shqetëson me këtë rast është fakti që grupi kriminal u ndie më i sigurt për të kryer goditjen e tij brenda aeroportit dhe jo p.sh. në rrugë apo vend tjetër aspak të survejuar. Dhe akoma më shumë, kur grabitja ndodh në brendësi të kësaj hapësire, e cila për nga rëndësia merr përmasat e një objekti me rëndësi edhe për sigurinë kombëtare, problemi kthehet në kritik. As më shumë e as më pak, por nëpërmjet këtij akti ulet në gjunjë autoriteti i shtetit, siguria degradohet. Zinxhiri i pasigurisë që krijohet është edhe më i madh. Ai mbërrin deri te frika apo paniku që mund të kapë njerëzit e thjeshtë për të marrë një avion e për të udhëtuar diku.

Po siç dihet gjerësisht nga ana e opinionit të gjerë publik, nuk është hera e parë që ndodh një grabitje e tillë në Rinas. Si e shpjegoni këtë? Si ka mundësi që pas rastit të parë, të mos jenë marrë masat e duhura për të shmangur ngjarje të tilla kaq shumë të rënda.

Po, e drejtë. E para gjë që të vjen ndër mend me këtë rast është pikërisht ajo, që me të drejtë ju nënvizoni. Pa shumë komente, kjo është e pafalshme. Të gjitha epitetet e mundshme, të cilat lidhen me konceptin “përgjegjshmëri”, aty mund t’i përdorësh mjaft me lehtësi, por nuk është ky problemi. Thelbi qëndron në faktin se për fat të keq, institucionet e lidhura me sigurinë publike dhe kombëtare, përgjithësisht kur ndodhin incidente, puna e parë që bëjnë është të gjejnë kurbanët, të cilave do t’u ngarkohet përgjegjësia për t’u prerë kokat dhe për të filluar procedimin penal “për shpërdorim detyre”. Në këtë moment fillojnë dhe shfletohen gjithë aktet nënligjore, udhëzimet dhe praktikat për të përcaktuar përgjegjësinë. Kjo është në fakt normale, por aspak e mjaftueshme. Sepse gjithçka mbyllet sapo fashitet zhurma e medias dhe presioni i opinionit publik. Rëndësi ka që të gjitha ekipet, të cilat analizojnë ngjarjen, të diagnostikojnë problemet e sigurisë në aeroport, hallkat e dobëta, të përcaktojnë se kush e ka kompetencën për t’i rregulluar ato, pasi në aeroport ka shumë aktorë shtetërorë dhe privatë që operojnë, në mënyrë që ngjarje të tilla të rënda të mos ndodhin. Madje, të simulohen edhe raste të ngjashme për të testuar sigurinë. Me siguri edhe ju do të bënit të njëjtën pyetje si dhe unë me këtë rast. Çfarë është përmirësuar në sigurinë e aeroportit pas grabitjes së parë. Unë kam bindjen se asgjë, pasi nga sa ka raportuar media, mënyra e veprimit të depërtimit të grabitësve në pistën e avionit është thuajse e njëjtë me të parën. Kjo është e pafalshme.

Ashtu siç e përshkruat ju, del se në aeroport ka shumë operatorë shtetërorë dhe privatë që operojnë. Pavarësisht analizave dhe rregullimeve të mëvonshme të mundshme, kush mendoni se e ka më shumë përgjegjësinë?

Për këtë pyetje më duhet të theksoj që në fillim, se kushdo që ta ketë përgjegjësinë, në fund është shteti ai që duhej të kishte ndërhyrë dhe duhet të ndërhyjë. Në komentet që janë bërë pas grabitjes së parë, u fol se përgjegjësia është e autoritetit që menaxhon aeroportin, i cili dihet që është i dhënë me koncesion. Aty u folën edhe për përgjegjësitë e Policisë, që garanton sigurinë e perimetrit nga jashtë dhe të sigurisë së aeroportit nga brenda. Me siguri që historia do të përsëritet. Por ajo që thashë pak më sipër, shteti ka mundësitë ligjore për të imponuar zgjidhjet e duhura për të garantuar sigurinë e aeroportit, pavarësisht se përgjegjësia është e koncesionarit.

Si e mendoni zgjidhjen?

Mbarë opinioni publik tashmë është i njohur me ligjin e hartuar nga qeveria “Mbi masat shtesë për sigurinë”. Ky ligj detyron të gjitha entet private dhe shtetërore, por sidomos private, që të adoptojnë masa sigurie plotësuese për të parandaluar rrezikun e shtuar, duke përfshirë këtu teknologji dhe burime njerëzore. Ky ligj nuk parashikon diçka të tillë për Aeroportin e Rinasit. Pra, nuk do të ishte ndonjë problem i pakalueshëm apo i madh nëse hartohej një ligj, pse jo i veçantë, për sigurinë e Aeroportit të Rinasit. Në bazë të këtij ligji koncesionari të detyrohet ta ndajë gjithë hapësirën aeroportuale, që menaxhon në zona të ndryshme sigurie dhe me nivel të ndryshëm. Pra, t’i kategorizojë ato nga më e ulëta deri te më e larta dhe për çdo kategori të përcaktojë edhe llojin e teknologjisë që duhet përdorur për të garantuar sigurinë absolute. Po ashtu, të përcaktojë qartë edhe teknologjinë që duhet përdorur në menaxhimin e hyrje-daljeve të njerëzve dhe mjeteve në portat hyrëse dhe dalëse, ku të eliminohen maksimalisht hyrjet e pakontrolluara dhe sidomos me dhunë, si në rastet konkrete. Kjo, sepse porta prej hekuri, lehtësisht e shkallmueshme që u shqye herën e parë, ka ngelur e njëjtë edhe sot. Nëse koncesionari detyrohet me ligj dhe këtu zgjidhjet teknike janë pa fund, të përdorë teknologji të nivelit të duhur për të garantuar sigurinë e rrethimit dhe të hyrje-daljeve në pistë, rreziqe të tilla zerohen, jo thjesht minimalizohen. Më pas vijnë edhe zgjidhjet nëpërmjet burimeve njerëzore, ku forca policore që garanton sigurinë e aeroportit të ketë një status trajnimi dhe rekrutimi të hartuar me kujdes./Panorama

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Rama paralajmëron poseduesit e mjeteve, “Nuk ka më shaka me kolaudimin!”

Nëpërmjet një postimi në facebook, kryeministri i vendit Edi Rama ka paralajmëruar të gjithë poseduesit e automjeteve. Ai ka përmendur dhe një shifër; mbi 15...

Tragjike/ Lushnje, 17-vjeçarja humb jetën pasi ra nga pema

Një 17-vjeçare nga Lushnja humbi jetën pasi u rrëzua nga pema Raportohet se kanë qenë familjarët që e kanë dërguar me shpejtësi drejt spitalit të...

Euro 2020/ Mbyllet grupi A, Italia dhe Uellsi kalojnë, italianët me rekord

Itali-Uells 1-0 Italia barazoi rekordin e vet të të gjitha kohërave me 30 ndeshje si e pamposhtur pas një fitoreje 1-0 kundër Uellsit në Stadiumin...

Profil/ Ngolo Kante, 5 detaje domethënëse mbi “motorrin” e Francës

I vogli Kante Historia e Kantésë është e ngjashme me atë të shumë emigrantëve nga Afrika. Lindur në periferi të Parisit, nga një familje shumë...

Infektimet/ Shqipëria me vetëm dy raste të reja në 24 orët e fundit, 0 vdekje

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të vijojnë të zbatojnë me përpikmëri rregullat për parandalimin e COVID19 dhe të mos...