Ish-kryeministri Isa Mustafa ka kritikuar mosprezencën në Kosovë të tre liderëve kryesorë të institucioneve, kur situata në veri është e paqëndrueshme. Mustafa e ka cilësuar situatën në veri të Kosovës si tepër të rrezikshme, ndërsa ka thënë se në momente të tilla presidentja e vendit duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë. Si dhe të ndërmerren masa duke u koordinuar me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in.
“Situata në veri të Kosovës është tepër serioze dhe e rrezikshme. Në një situatë të tillë Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë.
Nuk mund të dërgojmë mesazhe njëra nga New Yorku, tjetri nga Shkupi e nga Budapesti, kurse njësitë speciale të mbesin të mbërthyera në Jarinje e Bërnjak, nën kërcënimin e helikopterëve, avionëve e tankave të Serbisë. Kjo është jo serioze dhe e pafalshme”, ka thënë Mustafa për ‘Express’.
Mustafa u shpreh se në situatën e krijuar, duhet të thirret Këshilli i Sigurisë nga presidentja Vjosa Osmani. “Në momente të tilla, duhet thirret Këshilli i Sigurisë nga Presidentja e vendit dhe të ndërmerren masat e nevojshme duke u koordinuar me partnerët, SHBA dhe EU, KFOR-in dhe institucionet në Kosovë”, tha ai.