Inxhinieri: Shumica e banesave që do shemben janë ndërtuar para 60 vitesh

Inxhinieri Luigj Aleksi shprehet se objektet që janë ndërtuar pas viteve ’90 i kanë rezistuar lëkundjeve të tërmetit, ndërsa shtoi se kanë ardhur specialistë nga Izraeli që kanë matur strukturat e betonit.

Teksa ishte i ftuar këtë të hënë në emisionin “Real Story”, Aleksi deklaroi se tërmeti i 26 nëntorit la pasoja të mëdha kryesisht në banesat dhe pallatet 60-vjeçare.

“Kanë ardhur specialistë nga Izraeli që kanë matur strukturat e betonit. Strukturat e ndërtuara pas 90, strukturisht i kanë qëndruar lëkundjeve. Numri i banesave që do shemben, janë ose të ligjit të legalizimit, ose banesa të kaluara mbi 60 vjet. Përgjegjësia është individuale e gjithsecilit. Tërmeti mbi 6.4, për karakteristikat që pati, për kohëzgjatjen, ishte afër katastrofikut. Ishte afër katastrofikut për shkallën e llogaritjes. Strukturat e ndërtesave qëndruan, katastrofa e njerëzve ishte shumë e dhimbshme për ata që vdiqën”, tha Luigj Aleksi.