Investim 2 mln dollarë në Rrogozhinë/ Nisin punimet në ”Arena Egnatia”

Egnatia e ka marrë më shumë se seriozisht misionin “Superiore”. Klubi po përgatitet për ngjitjen dhe që të mos ketë kurrfarë pengese, do të ketë edhe një stadium modern. Plani i drejtuesve nuk do të mbetet thjesht në 3D, por një realitet i prekshëm.

Prej ditës së djeshme kanë nisur zyrtarisht punimet në “Hasan Zyla”, nën mbikëqyrjen e presidentit Agim Demrozi. Ka qenë vetë klubi që ka njoftuar hapin e madh, me anë të një postimi në rrjeton social, Facebook.

“KF Egnatia starton sot (dje) punimet e projektit ambicioz të presidentit Agim Demrozi për stadiumin e ri. Qyteti i Rrogozhinës do të ketë stadiumin e ri sipas standardeve të FIFA-s. Lamtumirë Fusha e Vjetër”, thuhet në njoftim.

“Arena Egnatia” pritet që të kushtojë afro 2 milionë dollarë dhe do të jetë gati në shtator, kohë kur mund të nisë edhe sezoni 2021-2022. Një investim aspak i vogël, e sidomos për një skuadër që militon në Kategorinë e Parë dhe në një kohë krize.