E martë, 19 Janar, 2021
-6 C
Tirana

Intervista/Fatos Klosi: Jo Moska, ja çfarë fshihet pas aksionit të opozitës

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, u shpreh se në Shqipëri nuk ka një krizë politik, pasi qeveria ka votat në Kuvend, por kemi të bëjmë me një situatë të sajuar nga opozita, për të hequr vëmendjen nga zbatimi i reformës në drejtësi dhe me një formë të lufte për pushtet. Klosi nuk mendon se pas aksionit të opozitës fshihet Moska. Sipas tij, pas djegies së mandateve dhe protestave të dhunshme fshihet lufta për pushtet dhe frika nga SPAK-u.

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror mendon se PD-LSI, përmes verimeve ekstreme, po kërkojnë të fitojnë kohë për të gjetur një shteg, për të shpëtuar nga SPAK-u. Sipas tij, jo të gjithë, por shumica e politikanëve kanë të drejtë të tremben nga SPAK-u. I pyetur mbi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, e cila është kërkesa kryesore e opozitës, Klosi thotë se ky do të ishte një precedent absurd dhe i rrezikshëm, pasi çdo opozitë do krijonte pastaj të njëjtën situatë artificiale dhe do të kërkonte zgjedhje të parakohshme.

-Z. Klosi, opozita ka ndërmarrë një akt të paprecedentë, duke ‘djegur’ mandatet e përfaqësimit në Kuvend, veprim ky i pasuar me dy protesta të dhunshme. A është Shqipëria sot në një krizë të rëndë politike apo kemi të bëjmë me një situatë artificiale të krijuar nga PD-LSI, sigurisht për interesat tyre?

Për mua nuk ka krizë, nuk ka asgjë reale. Nuk ka krizë pasi qeverisë në Parlament nuk i mungojnë votat. Kriza do të ishte reale nëse qeverisë do t’i mungonin votat në Parlament. Për mendimin tim, kjo është një krizë e sajuar nga opozita me shpresën se do të përfitojë diçka. Është një krizë artificiale. Ata po i bien shkurt. Nuk kanë parë tjetër zgjidhje, ndaj kanë gjetur këtë zgjidhje, madhore, do ta quaja unë, për të bërë bujë nëpër botë dhe brenda vendit, pra për t’u bërë faktorë përmes një zgjedhje absurde. Veprimet absurde të bëjnë faktor, pasi tërheq vëmendjen e njerëzve, të cilët pyesin: Ç’patën këta? Pse? Ky është mekanizmi për të ardhura në pushtet, duke djegur mandatet etj?

-Situata gjithsesi është e pazakontë. Ju si e parashikoni fundin e saj? Do ketë kosto për opozitën, shumicën apo për vendin?

Nuk mund të parashikoj dot gjë. Kjo është e paprecedentë. Mund të ketë parashikime për zhvillime që kanë ndodhur edhe herë të tjera. Pra, kur kanë ndodhur gjëra të ngjashme dhe kur kemi eksperiencën për mënyrën se si është sjellë njëra palë dhe pala tjetër. Në këtë rast, nuk kemi asnjë lloj eksperience. Ndaj, të mos ngutemi me parashikime. T’ia lëmë kohës. Është e parashikueshme. Megjithatë, për mua do vazhdojë normalisht. Qeveria do të bëjë punën e saj. Ata do të vijojnë me protesta, të cilat shpresojmë të mos jenë të dhunshme. Shkurt është luftë për pushtet.

-Z. Klosi, mendoni apo dyshoni se mund të fshihet Moska pas radikalizimit të opozitës dhe provokimit të një situate tensionuese në Tiranë?

Nuk mendoj këtë. Nuk vete dot aq larg. Ne, në përgjithësi, në historinë tonë, jemi përpjekur të fajësojmë të huaj për problemet e brendshme, në një kohë kur fajtorët janë brenda. Klasa politike shqiptare është përgjegjëse për këtë situatë. Në rastin konkret, më shumë është përgjegjëse e djathta, e cila po e shfrytëzon si mjet për të fituar favore politike, që t’i lutet dikush, që të bëjë një kompromis diku etj. Megjithatë, për mua, për sa kohë nuk ka një krizë reale, nuk ka asnjë problem. Është një zgjedhje e tyre dhe le ta vazhdojnë ashtu siç edhe kanë menduar. Sigurisht që të vjen keq që për karriget e tyre të përdorin popullin, që njerëz të arrestohen, sepse ka lloji-lloji njerëzit që nuk arsyetojnë gjatë kur dalin nëpër protesta. Nuk arsyetojnë: Pse do të dal nëpër protesta dhe të ushtroj dhunë? Që të bëhet Lulzim Basha kryeministër?

-Çfarë kompromisi kërkon opozita? Ky aksion politik përkon me finalizimin e reformës në drejtësi. Mendoni se, përveç luftës për pushtet, frika nga SPAK-u ka diktuar dhe po dikton lëvizje të tilla politike ekstreme?

Sigurisht që nisja e procedurave për ngritjen e organeve të SPAK-ut është tronditja kryesore. Kjo është vërtetë e paprecedentë dhe reale në Shqipëri. Për herë të parë po ngrihen struktura që kanë si synim vetëm luftën kundër korrupsionit. Janë ndërtuar në mënyrë të tillë për të luftuar korrupsionin. Është e qartë se, nuk po them të tërë, se do të ishte gabim, por pjesa më e madhe e politikanëve kanë të drejtë të tremben nga SPAK-u.

-Pra duke krijuar një situatë artificiale mund të shpëtojnë nga SPAK-u?

Nuk mund të shpëtojnë. Ata po përpiqen që ta vonojnë. Natyrisht që çdo vonesë krijon mundësi, sipas tyre, që të gjendet ndonjë shteg për të shpëtuar. D.m.th, duke e zhvendosur vëmendjen e shtetit dhe të opinionit publik tek situata politike, te djegia e mandateve, tek protestat e dhunshme etj., do t’i kushtohet më pak vëmendje zbatimit të reformës në drejtësi, i cili për mua është procesi më i rëndësishëm në Shqipëri gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Pra, procesit të krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë, të cilët shpresojmë që të luftojnë korrupsionin në radhët e politikanëve.

-Si e vlerësoni ftesën e kreut të shtetit Ilir Meta, i cili i ftoi palët që të bëjnë një hap pas, në një kohë kur kreu i shtetit e ka njërën dorë tek LSI-ja?

Unë besoj tek Presidenti i Republikës jo vetëm si figurë institucionale, por edhe personalisht tek ai njeri, i cili nuk ka qenë asnjëherë ekstremist. Ajo është një ftesë, e formuluar ashtu, unë nuk e kuptova të them të drejtën se pse njëra palë duhet të bëjë dy hapa pas dhe tjetra të bëjë një hap pas, megjithatë problemi është nëse kemi të bëjmë vetëm me hedhjen e deklaratave në mjedisin publik apo po punon me palët për të arritur një kompromis që ai kërkoi.

-Si përfundim, mendoni se mund të kemi zgjedhje të parakohshme, siç edhe po kërkon opozita?

Unë mendoj se jo. Do të ishte e rrezikshme. Do të ishte një precedent absurd dhe i rrezikshëm. I rrezikshëm sepse çdo opozitë e pakënaqur, natyrisht që nuk ka opozitë të kënaqur, do të krijonte një situatë të ngjashme për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Pse nuk vonohet rigjykimi i dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit? 

Problemi është që të gjithë duan që të mos ngatërrohen me një çështje që e quajnë të mbyllur formalisht. Ndërkohë që unë mendoj se Izet Haxhia e ka të drejtën e tij duke qenë se nuk ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor ku është dënuar. Ai ka të drejtën e tij të rihapë çështjen e tij, të rishikojë pozicionin e tij lidhur me ngjarjen në mënyrë që ai dënim i rëndë që ka marrë mbase mund të zbutet. Por thash që duhet të ndiqen procedurat, por mesa duket kurrkush në këtë situatë qoftë kur ka një reformë në gjyqësor, kur gjërat nuk janë fort të qarta sepse reforma vetë ka nxjerrë shumë njerëz me probleme, kështu që në përgjithësi njerëzit në gjyqësor e kanë mendjen tek problemet dhe hallet e tyre dhe jo t’i futet prapë çështjes në fjalë. Mbase ata e mendojnë të zorshme dhe të bezdisur. Kështu që kjo është arsyeja. Nuk besoj se është presion politik sepse nuk ka kushte për një gjë të tillë. Ata që mund të bënin presion politik, sepse nuk janë të interesuar që të hapet procesi, janë në opozitë. Thjesht është një çështje që njerëzit e gjyqësorit nuk kanë qejf ta rihapin e të ngatërrohen. Në këto kushte mbetet vetëm të pritet.

SPAK-u

“Sigurisht që nisja e procedurave për ngritjen e organeve të SPAK-ut është tronditja kryesore. Nuk mund të shpëtojnë. Ata po përpiqen që ta vonojnë. Natyrisht që çdo vonesë krijon mundësi, sipas tyre, që të gjendet ndonjë shteg për të shpëtuar”.

Zgjedhje të reja

“Unë mendoj se jo. Do të ishte e rrezikshme. Do të ishte një precedent absurd dhe i rrezikshëm. I rrezikshëm sepse çdo opozitë e pakënaqur, natyrisht që nuk ka opozitë të kënaqur, do të krijonte një situatë të ngjashme për të kërkuar zgjedhje të parakohshme”. /shqiptarja.com

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Mesi e gjuajti me shpullë, sulmuesi i Bilbaos: Ai u nxeh sepse e bllokova

Sulmuesi i Atletik Bilbaos, Asier Vijalibre do të mbahet më shumë mend për faktin se detyroi Lionel Mesin të ndëshkohej me karton të kuq...

Qeverisje me PS? Duma: Zero shanse, ofendim për sakrificat e demokratëve

Ish-deputetja Grida Duma hodhi poshtë mundësinë e një koalicioni të madh mes PS- së dhe PD-së. E pyetur për thashethemet që qarkullojnë së fundmi për...

Mediu: Të biem dakort me PD-në sa më shpejt të jetë e mundur që të mundim Ramën

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është shprehur se bisedimet me Partinë Demokratike për arritjen e një marrëveshjeje vijojnë. Në ''Open”, Mediu tha se PR-së...

“Pyetjet i merr nga Basha“/ Gazetarja-Topallit: Merre telefonin shikoje

Gazetarja e ABC, Esiona Konomi dhe kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli, janë përplasur në emisionin ''Log'' në lidhje me bashkëpunimin e tyre...

Akuza për spiunazh, Rusia dëbon dy diplomatë holandezë

Rusia ka dëbuar dy diplomatë holandezë në një veprim reciprok pasi Holanda dëboi dy diplomatë rusë në fund të vitit të kaluar. Ministria e Punëve...