Politikë

Intervista e Ilir Metës 1 ditë pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit (Video Arkiv)

               Publikuar në : 13:01 - 27/06/19 M. S

Një ditë pas dorëzimit në Presidencë të dorëheqjes nga posti i Kryeministrit, Ilir Meta ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Pavarësisht analizave dhe komenteve, dorëheqja e Metës la pas një hije dyshimi dhe misteri.

Gjatë emisionit të realizuar më datë 30 Janar të vitit 2002, Meta tha se thelbi i dorëheqjes së tij kishte të bënte me zhvillimet brenda Partisë Socialiste dhe mungesës së mbështetjes nga ana e tyre për të kapërcyer problemet në qeveri.

“Nuk mendoj se kushtet që më detyruan të jap dorëheqjen janë krejtësisht të panjohura, pasi opinioni publik i ka njohur në vazhdimësi zhvillimet brenda mazhorancës. Thelbi i kësaj krize dhe i dorëheqjes time ka të bëjë me atë që për fat të keq shumë prej titullarëve apo një grupi nuk ka arritur të japë mbështetjen e duhur për qeverinë dhe për të kapërcyer problemet që janë shfaqur. Përpjekjet e mia për të reflektuar dhe për të ofruar kompromis kanë dështuar. Unë kam qenë i hapur për të bërë një qeveri pa paragjykime dhe pa përjashtuar asnjë lloj emri.

Dy çështjet që mes meje dhe kreut të Partisë Socialiste Fatos Nano kanë krijuar vështirësi janë: “Çështja e zgjedhjes së Presidentit dhe çështja e referendumit që ka kërkuar Nano”. Unë nuk synoja asgjë tjetër përveçse të bëja detyrën e Kryeministrit dhe për këtë doja përkrahje nga të gjithë. Këtë dua t’iu them shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtar, kaq. Për këtë nuk kam marrë asnjë lloj garancie sepse gjithçka varet nga zgjedhja e Presidentit apo edhe nga një referendum i mundshëm.

Këtu hyjmë në një rreth vicioz, prandaj kam thënë që këto kushte mbajnë peng qeverisjen e vendit. Dua të bëj të qartë se nuk jam unë ai që mbaj peng qeverisjen e Shqipërisë. Unë jam njeriu që ka luftuar që nga fillimi dhe në mënyrë të vazhdueshme. Unë  jam ai që u shfrytëzua nga Fatos Nano, i cili deklaroi para elektoratit se Kryeministri do të jetë Ilir Meta dhe menjëherë pas saj, nxiti garën e famshme për Kryeministër. Në kushtet e diskreditimit të qeverisë, unë kam ndjerë të nevojshme të bëj një veprim të tillë që të zgjohet Partia Socialiste”, tha Meta.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së televizionit Klan për vitet 1998-2012

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT