A do të vijojë të jetë Stefano Pioli në krye të pankinës së Interit edhe për sezonin e ardhshëm? Siguri nuk ka, por projektet e pronarëve të rinj të “Suning” janë ambicioze, dhe familja Zhang duket se ka hedhur vështrimin nga merkatoja e trajnerëve për të parë nëse ndonjë emër i madh do të jetë i disponueshëm.
Interi pritet ta zëvendësojë Piolin vetëm për një nga emrat e niveleve më të larta, shpjegon Luca Taidelli për “Gazzetta dello Sport”.
Në krye të listës, sigurisht, është Antonio Conte, i cili për momentin refuzon të flasë, pasi është i përqendruar në fitimin e “Premier League” me ekipin e Chelsea-t, ndërkohë që pret edhe të mësojë synimet e Abramovich, sa i përket Champions-it.
Emri i dytë i përmendur është Diego Simeone, pa mohuar një rikthim të mundshëm të Mourinho-s, por nuk do të refuzoheshin edhe alternativa, si: Ancelotti apo Guardiola, emra këto me karriera të pasura dhe me shumë trofe, por tepër të vështirë për t’i lëvizur.