Joe Biden ka paralajmëruar se ai nuk do të pranojë “vijat e kuqe” të vendosura nga Moska, ndërsa frika rritet se Rusia po planifikon një pushtim të afërt të Ukrainës. Presidenti amerikan tha se do ta bëjë “shumë të vështirë” për Rusinë që të pushtojë fqinjin e saj.
Ndërkohë, mediat amerikane kanë raportuar se zyrtarët e inteligjencës kanë frikë se një pushtim mund të fillojë në fillim të vitit 2022.
Kjo vjen pasi Ukraina thotë se Rusia ka rritur ushtrinë e saj në kufi, dhe ka grumbulluar rreth 94.000 trupa atje.
Një video-telefonatë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe z. Biden për të ulur tensionet, pritet këtë javë. Presidenti amerikan u tha gazetarëve se pret të ketë një diskutim të gjatë me liderin rus, dhe paralajmëroi se ai nuk do të “pranojë vijat e kuqe të askujt”.
“Ajo që unë jam duke bërë është të bashkoj atë që besoj se është grupi më i plotë dhe më kuptimplotë i iniciativave për ta bërë shumë, shumë të vështirë për z. Putin që të vazhdojë dhe të bëjë atë që njerëzit janë të shqetësuar se ai do të bëjë”, tha Biden.
Ndërsa Biden nuk përcaktoi se çfarë veprimesh të sakta planifikon të ndërmarrë SHBA-ja, zyrtarët amerikanë dhe ukrainas paralajmëruan sërish këtë javë se sanksione të rënda ekonomike janë në tryezë kundër Rusisë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, tha të enjten se SHBA-ja kishte kërcënuar me sanksione të reja pas takimit të tij me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Komentet e Biden vijnë pasi ‘Washington Post’ raportoi se zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë frikë se Kremlini po planifikon një ofensivë me shumë fronte në fillim të vitit të ardhshëm, duke përfshirë deri në 175.000 trupa.
Zyrtarët thuhet gjithashtu se kanë parë një rritje në përpjekjet propagandistike përmes përdorimit të përfaqësuesve dhe organeve mediatike për të denigruar Ukrainën dhe NATO-n përpara një pushtimi të mundshëm. Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, ka thënë se ai beson se koha më e mundshme e çdo përshkallëzimi rus “do të jetë fundi i janarit”.
Këtë javë, oficeri më i lartë ushtarak britanik tha se “ne duhet të jemi vigjilentë” në lidhje me potencialin për konflikt në rajon.
Gjenerali Sir Nick Carter i tha emisionit Andrew Marr të ‘BBC One’ se ai “shpresonte qartë” se nuk do të kishte një luftë me Rusinë, por shtoi se NATO do të duhej të ishte gati për këtë eventualitet. Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës nuk janë asgjë e re. Në vitin 2014 Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës dhe menjëherë pas kësaj filloi të mbështesë një kryengritje separatiste në lindje të Ukrainës që ka parë rreth 14.000 njerëz të vrarë në luftime periodike.
Kohët e fundit, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka lëvizur kundër interesave ruse, duke vendosur sanksione ndaj një miku të fuqishëm të Presidentit Putin dhe duke ndaluar transmetimet nga tre stacione televizive pro-ruse.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today