Nga Vedrana Maglajlija “Al Jazeera”
Imazhet shqetësuese të fëmijëve me aftësi të kufizuara, të lidhur pas mobilieve apo kaloriferëve në Institutin Pazariç, kanë alarmuar organizatat ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut, që kanë bërë sërish thirrje për mbylljen e menjëhershme të institucioneve të tilla, një praktikë kjo që po ndiqet në të gjithë botën.
Ato paralajmërojnë se institucione të tilla, veçanërisht ato që janë të mbipopulluara, nuk janë një zgjidhje e përshtatshme për kujdesin ndaj fëmijëve, dhe të rriturve me aftësi të kufizuara. Kjo pasi studime të shumta shkencore, kanë treguar se kjo praktikë, sidomos në periudhën më të hershme të jetës së një fëmije, ka efekte shkatërruese mbi rritjen dhe zhvillimin e tij.
“Kur një fëmijë i shëndetshëm vendoset në një institucion të tillë, pa pasur ndonjë paaftësi shëndetësore ose zhvillimore, ai nis të manifestojë vonesa dhe paaftësi zhvillimore, pas një qëndrimi më të gjatë në këtë institucion.
Është e vërtetuar shkencërisht, se për çdo 3 muaj të kaluar në një institucion të tillë, fëmija humbet 1 muaj në zhvillimin e tij psiko-social”- shpjegon Aleksandra Babiç-Goluboviç nga organizata “Save the Children”.
Megjithatë, në Bosnje Hercegovinë, fëmijët nën moshën 3-vjeçare çohen në institucione, që sipas Ligjit të Kujdesit Shëndetësor, duhet të kujdesen për ta në një mjedis familjar. Për më tepër, entiteti i Federatës së Bosnjës, është zotuar të mbyllë institucionet e përkujdesjes ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Prandaj, në vitin 2014, u miratua një strategji, me objektivin e zbatimit deri në vitin 2020. Por ekspertët thonë se është bërë shumë pak mbi këtë gjë, ose pothuajse asgjë. Nga ana tjetër, në shumë vende të botës, institucione të tilla kanë filluar të mbyllen masivisht.
Vendosja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në institucione të caktuara, shihet si zgjidhja e fundit, por edhe atëherë vetëm si një zgjidhje kalimtare afatshkurtër. Përkundrazi, po bëhen përpjekje për të respektuar të drejtën e çdo fëmije për të jetuar në familje. Dhe nëse kjo gjë nuk është e mundur, për të pasur të drejtën e birësimit në një familje kujdestare.
“Ndërkohë, ka një sërë shërbimesh për ndihmën ndaj komunitetit, apo edhe të zhvillimit të përkujdesjes me bazë familjen, siç është kujdesi për fëmijët pa përkujdesje prindërore, si dhe për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara zhvillimore. Ka gjithashtu një fokusim të madh në mbështetjen e familjeve, që të kujdesen për fëmijën e tyre”- shprehet Babiç-Goluboviç.
Gjithsesi, si mundet një familje në Bosnje me pak ose aspak të ardhura, dhe që jeton në kushte shumë të vështira, të jetë në gjendje të kujdeset për një fëmijë me aftësi të kufizuara, pa mbështetjen e duhur nga komuniteti dhe institucionet kompetente?
Babiç-Goluboviç, thekson se argumenti se nuk ka mjaftueshëm para për ta mundësuar këtë ndihmë, nuk është tërësisht i vërtetë. Pasi mbështetja financiare që mund të marrë një familje, për t’u kujdesur në mënyrën e duhur për fëmijën e saj, do t’i kushtonte shtetit shumë më pak sesa fondet e akorduara për të akomoduar të njëjtin fëmijë në një institucion.
Gjithashtu, vendosja e një fëmije në një institucion, kushton 3 herë më shumë, sesa vendosja në një familje kujdestare. Sidoqoftë, numri i familjeve kujdestare, veçanërisht ato që janë realisht të specializuara në kujdesin ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara, është ende shumë i vogël në Bosnje Hercegovinë.
Dhe kjo është arsyeja pse në vend funksionojnë ende këto institucione. Babiç-Goluboviç, shtoi ndërkohë se shërbime të tilla, si kujdesi me bazë komunitetin për një jetesë të asistuar, ka një zhvillim minimal.
Duke pasur parasysh të gjitha efektet negative të lartpërmendura, që ka institucionalizimi për fëmijët dhe të rriturit në një periudhë afatgjatë, është e qartë se mirëmbajtja e mëtejshme e sistemit të kujdesit institucional, jo vetëm që nuk ka një kosto efektive, por nuk sjell as rezultate pozitive si për individin, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi.
Kjo edhe për shkak se gati në të gjitha institucionet cilësore, ku janë strehuar një numër i madh fëmijësh, ka një numër relativisht të vogël të stafit profesional, dhe që janë absolutisht të paaftë të reagojnë ndaj nevojave individuale të secilit fëmijë.
Kur është fjala për Institutin Pazariç, Sabina Çudiç, anëtare e parlamentit të Federatës së Bosnje Hercegovinës, ngriti shqetësimin për këtë, duke thënë se atje janë të punësuar 149 persona, 27 prej tyre ekonomistë, me 47 fëmijë.
“Netëve, angazhohet një kujdestar, që shpesh është një person jo i aftë. Fëmijëve u lihet shpesh një dorë e palidhur, pasi ata janë mësuar të jenë të lidhur për 14 orë”- thotë Çudiç.
Babiç-Goluboviç thotë se një fëmijë i vogël, nuk mund të marrë stimujt që ka nevojë për t’u zhvilluar, nuk mund të krijojë lidhje me një kujdestar, dhe nuk mund të zhvillojë aftësitë e tij emocionale, njohëse dhe shoqërore, çka u shkakton një seri çrregullimesh serioze.
“Përveç kësaj, mungesa e stafit të duhur për shumë fëmijë në një institucion, paraqet një rrezik për sigurinë, pasi është fizikisht e pamundur që ata të kujdesen në mënyrën e duhur për çdo fëmijë në çdo kohë të caktuar”- thotë ajo, duke shtuar se çdo fëmijë që hyn në një institucion të tillë, është diçka e rrallë që ai të qëndrojë aty deri në moshën madhore, apo edhe më gjatë, duke humbur kësisoj lidhjet me familjen.
Prandaj, pas largimit nga institucioni, ai ose ajo përballet me problemin e izolimit social, pamundësisë për të punuar, dhe mungesën e shërbimeve apo mbështetjen e komunitetit, dhe shumë shpesh përfundojnë sërish në institucione ose në sistemin e drejtësisë./ Përshtati: Tirana Today