Fondacioni Fundjavë Ndryshe ka nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë dhe me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP Albania).
Në bazë të kësaj marrëveshje, 2% e fitimit vjetor të bizneseve që janë të regjistruara në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, do të menaxhohen nga fondacioni Fundjavë Ndryshe në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe implementimi i këtij projekti do të monitorohet nga UNDP.
Të tre palët nënshkruan këtë marrëveshje, teksa objektivi i tyre është i përbashkët dhe i ngjashëm. Kështu, ato dëshirojnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në fushat me interes të përbashkët për të promovuar dhe koordinuar zbatimin e përpjekjeve të zhvillimit të qëndrueshëm, agjendës socio-ekonomike dhe iniciativave mjedisore.
Konkretisht, bashkëpunimi mes Fondacionit Fundjavë Ndryshe, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë dhe Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara vjen si një bashkëpunim institucional për të punuar së bashku në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe iniciativave sociale dhe mjedisore me fokus njerëzit në nevojë në Shqipëri.
Palët pranojnë bashkarisht se:
-Zhvillimi në Shqipëri nuk mund të arrihet vetëm me punën e një njësie, por janë të rëndësishme edhe bashkëpunimet me Qeverinë, sektorin privat, shoqërinë civile, institucione financiare ndërkombëtare, mediet etj.
-Përballimi i sfidave më të mëdha sociale, ekonomike dhe mjedisore në Shqipëri është në interesin e ndërsjelltë të sektorit publik dhe privat.
– Burimet publike dhe filantropike do të vazhdojnë të jenë thelbësore, por nuk do të jenë të mjaftueshme dhe duhet të përdoren në mënyrë më efikase duke përfshirë shfrytëzimin e më shumë burimeve të sektorit privat dhe financimin inovativ si impakti social dhe ndërmarrjet sociale, fondet dhe financime të tjera alternative që gjenerojnë vlera shoqërore.
Ndër të tjera, Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë në Tiranë përkrah dhe u bën thirrje kompanive të saj anëtare që të mbështesin nevojat e grupeve të prekura, duke përfshirë nevojat socio-ekonomike dhe mjedisore.
Për këtë arsye, Fondacioni Fundjavë Ndryshe merr përsipër që të mbledhë informacion, ta përpunojë atë dhe të sjellë në vëmendjen e palëve nevojat e familjeve në nevojë në të gjitha Shqipërinë, si dhe do të zbatojë programin e mbështetjes në partneritet me aktorët e tjerë të rëndësishëm. Po ashtu, Fondacioni Fundjavë Ndryshe do të raportojë te palët mbi progresin e punës sipas mekanizmave dhe instrumenteve që do të miratohen bashkarisht mes palëve.
Gjithashtu, palët që kanë nënshkruar marrëveshjen do të organizojnë takime për të shqyrtuar ecurinë e aktiviteteve që kryhen në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit dhe për të planifikuar aktivitetet e ardhshme.