Indonezi, gjendet kutia e zezë e avionit që u rrëzua në det

Autoritetet në Indonezi gjetën një nga dy kutitë e zeza të një aeroplani pasagjerësh që u rrëzua në det, pak minuta pasi u ngrit nga kryeqyteti Xhakarta.

“U gjet FDR (regjistruesi i të dhënave të fluturimit)”, tha Ministri Indonezian i Transportit, Budi Karija Sumadi. Kutia e zezë duhet të ndihmojë hetuesit të përcaktojnë shkakun e aksidentit që ndodhi të shtunën, shkruan Sky News.

Zhytësit e Marinës Indoneziane po kërkonin dy kuti të zeza aeroplanësh që u lokalizuan të dielën. Ata po përdornin pajisje të teknologjisë së lartë për të intensifikuar kërkimin e tyre për kutitë.

Një Sriwijaya Air Boeing 737-500, me 62 pasagjerë dhe ekuipazh, humbi kontaktin me kullën e kontrollit të shtunën pasi u ngrit nga Xhakarta dhe u rrëzua në det.

Sipas detajeve të regjistrimit, avioni është i prodhuar para 27 vjetësh. Aksidentet e aviacionit janë relativisht të zakonshme në Indonezi, për shkak të mbipopullimit, vjetërsisë së infrastrukturës dhe standardeve të dobëta të sigurisë.