Pas mbledhjes në PS me deputetët dhe ministrat, kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për manifestimin e presidentit Ilir Meta. Ai shprehet se nuk ka asgjë të re sa i përket dekretit të Metës sot për kthimin mbrapsht të ligjit të ri për betimin e gjyqtarëve kushtetues, ndërkohë ka thënë se raporti i sotëm pozitiv i Brukselit duhej të gëzonte presidentin.
Në një deklaratë nga selia rozë, Rama ka shpërfillur paralajmërimin e bërë në manifestim nga presidenti Ilir Meta, për shpërndarjen e Parlamentit.
Rama u shpreh me ironi se Ilir Meta mund të firmosë edhe një dekret që i shpallë luftë SHBA, por Kuvendi nuk do ta njohë.
“Presidenti që president sot s’ka asgjë, del dhe shpërthen para jush si një minë e programuar, pikërisht për të bërë atë gjë, atë ditë.
Sot në Bruksel del një raport që minimalisht duhej ta gëzonte, por që ta hidhëronte në pikën që të rishpërthejë, kjo është në fakt për të qarë pavarësisht që unë qesh, sepse për mua është e pritur dhe jo befasuese.
Presidenti nuk mund të firmosë dekrete të tilla, ndërsa Iliri që sot ka çelur një fushatë brenda opozitës, mund të firmosë dhe një dekret për t’i shpallur luftë SHBA, por Parlamenti nuk do ta njohë”.